Uashington, 5 prill 2026 – Këshilli i Marrëdhënieve Shqiptaro-Amerikane (Albanian Amerikan Relations Council, AARC) e mbështet protestën paqësore të studentëve shqiptarë në Maqedoninë e Veriut që do të mbahet të hënën, në Shkup.
Studentët shqiptarë të drejtësisë, përmes protestës, kërkojnë që provimit të Jurisprudencës t’i nënshtrohen në gjuhën shqipe dhe jo në gjuhën maqedonase.
“Këshilli i Marrëdhënieve Shqiptaro-Amerikane (AARC) shpreh mbështetjen e tij të plotë dhe të qartë për studentët e drejtësisë në Maqedoninë e Veriut, të cilët po protestojnë në mënyrë paqësore për të drejtën e tyre themelore për të dhënë provimin e jurisprudencës në gjuhën e tyre amtare shqipe”, thuhet në deklaratën e AARC-së mbi këtë temë.
AARC e vlerëson shqetësuese dhe të papranueshme që studentët shqiptarë detyrohen të dalin në rrugë për të kërkuar një të drejtë të garantuar kushtetuese në Maqedoninë e Veriut.
“E drejta për të përdorur gjuhën shqipe në procedurat zyrtare është e bazuar në Kushtetutën e Maqedonisë së Veriut, të amendamentuar pas Marrëveshjes Kornizë të Ohrit, si edhe në Ligjin për Përdorimin e Gjuhëve. Këto instrumente juridike konfirmojnë në mënyrë eksplicite barazinë e gjuhëve të folura nga së paku 20% e popullsisë, përfshirë shqipen, në institucionet dhe proceset publike. Mohimi i mundësisë për të dhënë provimin e jurisprudencës në gjuhën shqipe jo vetëm që është në kundërshtim me këto dispozita – është fyerje e drejtpërdrejtë e tyre”, thekson AARC.
“Kauza juaj është e drejtë. Zëri juaj po dëgjohet. Dhe nuk jeni vetëm. AARC është me ju”, thuhet në përmbyllje të deklaratës së AARC.
DEKLARATA E PLOTË E AARC:
DEKLARATË E KËSHILLIT TË MARRËDHËNIEVE SHQIPTARO-AMERIKANE (AARC) MBI PROTESTAT E STUDENTËVE NË MAQEDONINË E VERIUT
Këshilli i Marrëdhënieve Shqiptaro-Amerikane (AARC) shpreh mbështetjen e tij të plotë dhe të qartë për studentët e drejtësisë në Maqedoninë e Veriut të cilët po protestojnë në mënyrë paqësore për të drejtën e tyre themelore për të dhënë provimin e jurisprudencës në gjuhën e tyre amtare shqipe
Është thellësisht shqetësuese dhe sinqerisht e papranueshme që, në vitin 2026, studentët detyrohen të dalin në rrugë për të kërkuar diçka që nuk është privilegj, por e drejtë e garantuar qartësisht sipas kuadrit kushtetues dhe ligjor të shtetit.
E drejta për të përdorur gjuhën shqipe në procedurat zyrtare është e bazuar në Kushtetutën e Maqedonisë së Veriut, të amendamentuar pas Marrëveshjes Kornizë të Ohrit, si edhe në Ligjin për Përdorimin e Gjuhëve. Këto instrumente juridike konfirmojnë në mënyrë eksplicite barazinë e gjuhëve të folura nga së paku 20% e popullsisë, përfshirë shqipen, në institucionet dhe proceset publike. Mohimi i mundësisë për të dhënë provimin e jurisprudencës në gjuhën shqipe jo vetëm që është në kundërshtim me këto dispozita – është fyerje e drejtpërdrejtë e tyre.
Kjo çështje është zgjedhur një brez më parë nëpërmjet Marrëveshjes Kornizë të Ohrit, e cila ishte gur i themelit të stabilitetit që ka mundësuar evaluimin e Maqedonisë së Veriut në një shtet më gjithëpërfshirës, demokratik dhe të respektuar ndërkombëtarisht. Progresi i vendit – kohezioni i tij i brendshëm, rrugëtimi i tij drejt strukturave euroatlantike dhe përafrimi me standardet evropiane – është ndërtuar mbi parimin e barazisë së qytetarëve të tij. Minimi i këtyre parimeve tani është si dritëshkurtër ashtu edhe i rrezikshëm.
Gjithashtu, duhet të shprehim zhgënjimin tonë të thellë me përfaqësuesit politikë shqiptarë të cilët kanë qenë pasivë ose joefektivë në veprimet lidhur me këtë çështje. Detyra e tyre nuk është simbolike – detyrë e tyre është të mbrojnë në mënyrë aktive të drejtat e zgjedhësve që i përfaqësojnë. Për një çështje kaq të qartë, kaq themelore dhe kaq fort të bazuar në ligj, nuk ka justifikim për heshtje ose për mosveprim. Ky dështim nuk është thjesht dështim politik – është shpërfillje e përgjegjësisë.
Në të njëjtën kohë, i paralajmërojmë të gjitha palët që të mos e politizojnë këtë çështjeje. Të drejtat themelore nuk janë objekt negocimi dhe as nuk duhet të jenë subjekt i manovrave partiake. Kjo është çështje ligjore, e barazisë dhe dinjiteti njerëzor themelor – asgjë më shumë dhe asgjë më pak.
Studentëve: Kauza juaj është e drejtë. Zëri juaj po dëgjohet. Dhe nuk jeni vetëm. AARC është me ju.
(r.m.)