Këshilli i Sigurisë Kombëtare në Serbi e quan dënimin e Dodikut “goditje serioze për popullin serb”

Beograd, 2 gusht 2025 – Këshilli i Sigurisë Kombëtare i Serbisë e ka dënuar vendimin kundër Millorad Dodikut, presidentit të Republikës Sërpska, entitet serb i Bosnje-Hercegovinës, duke e quajtur atë “goditje serioze politike për popullin serb në Republikën Sërpska dhe Marrëveshjen e Dejtonit”.

Dodiku është dënuar me 1 gusht me një vit burgim dhe gjashtë vjet ndalesë për mbajtje të ndonjë pozite publike, për mosrespektim të vendimeve të Përfaqësuesit të Lartë në Bosnje-Hercegovinë.

Pas takimit, Këshilli u ka bërë thirrje të gjitha palëve në rajon që të ruajnë qetësinë.

Sipas tij, synimi kryesor i Serbisë, pas vendimit, është “ruajtja e Republikës Sërpska në përputhje me Marrëveshjen e Dejtonit, përmes një fushatë aktive në organizatat ndërkombëtare, si partnerët tanë më të rëndësishëm”.

Këshilli ka thënë se “do të përdoren të gjitha mjetet diplomatike, politike dhe ligjore për të mbështetur Republikën Sërpska dhe përfaqësuesit e tij ligjorë dhe legjitim”.

Presidenti i Serbisë, Aleksandar Vuçiq ka thënë pas mbledhjes së Këshillit më 2 gusht se Këshilli ka vlerësuar se këto vendime “përbëjnë faktor destabilizues për sigurinë” dhe që “situata e sigurisë në rajon është minuar seriozisht”.

Presidenti Vuçiq e ka përsëritur pas takimit se kjo është periudha më e vështirë për Serbinë prej vitit 2008.

“Më së shumti më frikëson ajo që po ndodh në Bosnjë e Hercegovinë, sepse disa mendojnë se mund të marrin çfarëdo vendimi, se kjo është normale dhe se të gjithë të tjerët duhet vetëm të shikojnë në qiell, të heshtin dhe të mos guxojnë të thonë asnjë fjalë kundër,” ka deklaruar Vuçiq.

Ai ka thënë se Dodiku nuk do të arrestohet në Serbi, nëse do të shkonte atje.

Këshilli i Sugurisë Kombëtare të Serbisë është mbledhur një ditë pas arrestimit të 11 të dyshuarve në rastin e rrëzimit të strehës në stacionin hekurudhor të Novi Sadit në nëntor të vitit të kaluar, duke lënë 16 persona të vdekur. Midis të arrestruarve është edhe ish-ministri Tomisllav Momiroviq.

(Radio Evropa e Lirë)