KFOR-i konfirmon largimin gradual të pranisë së përhershme nga Ura e Ibrit

Prishtinë, 10 gusht 2026 – Misioni i NATO-s në Kosovë, KFOR, njoftoi se ka filluar tranzicionin gradual të pranisë së përhershme të këtij misioni nga Ura e Ibrit në Mitrovicë.

Në njoftim thuhet se tranzicioni i pranisë së pëhershme është pjesë e procesit të zvogëlimit gradual të pranisë së KFOR-it. Ky proces do të zhvillohet gradualisht, në përputhje me përmirësimin e situatës së sigurisë në Kosovë, dhe në koordinim të ngushtë me Policinë e Kosovës e EULEX-in.

“Misioni i KFOR-it të udhëhequr nga NATO ka filluar tranzicionin gradual të pranisë së përhershme të KFOR-it nga Ura Kryesore në Mitrovicë. Në përputhje me përmirësimin e situatës së sigurisë në Kosovë, ky është pjesë e procesit për optimizimin e pozicionimit të KFOR-it. Ky proces do të jetë gradual, i bazuar në kushtet në terren dhe do të koordinohet ngushtë me të gjithë akterët relevantë, përfshirë përfaqësuesit e institucioneve në Kosovë dhe të organizatave ndërkombëtare, si dhe përfaqësuesit e Policisë së Kosovës dhe Misionit të Bashkimit Evropian për Sundimin e Ligjit në Kosovë (EULEX)”, thuhet në njoftim.

Në njoftim thuhet se komandanti i KFOR-it vazhdon të jetë në kontakt të ngushtë me të gjithë homologët e institucioneve të Kosovës, por edhe të Serbisë, dhe theksohet se personeli i KFOR-it do të jetë në gjendje të reagojë ndaj çdo zhvillimi në përputhje me mandatin afatgjatë të KFOR-it.

“Personeli ynë është i pozicionuar në mënyrë të përshtatshme për t’iu përgjigjur çdo zhvillimi relevant, në përputhje me mandatin afatgjatë të KFOR-it të përcaktuar nga Kombet e Bashkuara. KFOR-i do të ruajë një prani të dukshme në Mitrovicën e Jugut dhe të Veriut, si dhe në veriun e Kosovës, duke vazhduar kontributin e tij për ruajtjen e një mjedisi të sigurt dhe të qëndrueshëm për të gjitha komunitetet”, thuhet mes tjerash në njoftim.

Personali i KFOR-it është vendosur në Urën e Ibrit pas tensioneve ndëretnike të vitit 2004, në të cilat pati të vrarë e të plagosur, me qëllim parandalimin e incidenteve të reja ndëretnike. Autoritetet e Kosovës kanë kërkuar disa herë hapjen e urës për qarkullimin e automjeteve, por kjo kërkesë është refuzuar nga KFOR-i.

Deri në vitin e kaluar, qarkullimi me automjete ndërmjet dy pjesëve të qytetit që ndahen fizikisht nga lumi Ibër, është bërë nëpërmjet një ure alternative në pjesën lindore të Urës së Ibrit. Vitin e kaluar, Qeveria e Kosovës i ndërtoi dy ura të reja pranë Urës së Ibrit. Ura në krahun perëndimor është e destinuar vetëm për qarkullim të këmbësorëve, ndërsa ura në krahun lindor është e destinuar edhe për qarkullimin e automjeteve.

(r.m.)