KFOR-i konfirmon se nga Serbia ka marrë kërkesë për kthimin e forcave serbe në Kosovë

Prishtinë, 16 dhjetor 2022 – Forcat paqeruajtëse të udhëhequra nga NATO-ja në Kosovë, thanë të premten se kanë pranuar një letër nga Serbia, e cila kërkon kthimin e një numri pjesëtarësh të forcave të saj të sigurisë në Kosovë. “Aktualisht letra është duke u shqyrtuar”, thuhet në një përgjigje të KFOR-it në të cilën nënvizohet se kjo forcë “vazhdon të jetë jashtëzakonisht syçelë dhe plotësisht e përgatitur të përmbushe mandatin e dhënë nga Kombet e Bashkuara.

Ky njoftim u bë disa orë pasi ministri serb i Mbrojtjes Milosh Vuçeviç, u tha medieve serbe se u është dorëzuar zyrtarisht forcave të KFOR-it kërkesa për kthimin e një numri forcash serbe të sigurisë në Kosovë.

Presidenti Serb, Aleksandar Vuçiç, tha të enjten se do të kërkohet kthimi i “disa qindra, deri në njëmijë forcave serbe të sigurisë në Kosovë”, ndonëse shprehu bindjen se KFOR-i nuk do ta pranojë këtë kërkesë.

Beogradi i referohet Rezolutës 1244 të Këshillit të Sigurimit të Kombeve të Bashkuara, të vitit 1999 në të cilën parashihej kthimi i një numri të personelit ushtarak dhe policor jugosllav për të kryer disa funksione si “ndërlidhja me misionin civil ndërkombëtar dhe me praninë ndërkombëtare të sigurisë; shënjimin/pastrimi i fushave të minuara; mbajtjen e një pranie pranë objekteve të trashëgimisë serbe; mbajtjen e një pranie në vendkalimet kryesore kufitare”.

Kosova atëbotë cilësohej pjesë e asaj që kishte mbetur nga ish Jugosllavia. Nëntë vjet pas miratimit të Rezolutës 1244, Kosova shpalli pavarësinë e saj që njihet nga vendet kryesore perëndimore, por kundërshtohet nga Serbia dhe aleatja e saj Rusia.

Rezoluta përcaktoi edhe mandatin e forcave paqeruajtëse të NATO-s që kujdesen për sigurinë e Kosovës, të cilat nuk dhanë të premten më shumë hollësi rreth kërkesës serbe që pasoi tensionet e fundit në veriun e Kosovës, ku për të shtatën ditë me radhë grupe qytetarësh serbë po vazhdojnë të mbajnë të bllokuara rrugët kryesore.

I dërguari amerikan për Ballkanin Perëndimor, Gabriel Escobar tha të mërkurën pas një takimi me presidentin serb Vuçiç se Shtetet e Bashkuara refuzojnë një kthim të tillë, duke nënvizuar se “kriza nuk duhet militarizuar. Ky nuk është momenti për të përdorur ushtrinë, është koha për diplomaci, dialog dhe kompromis sikurse edhe për imagjinatë, të mendojmë se çfarë sjellë e ardhmja e rajonit”.

Ambasadori amerikan në Beograd, Christopher Hill, tha të enjten se qeveria e Serbisë ka të drejtë t’i drejtohet KFOR-it me kërkesën që forcat serbe të sigurisë të kthehen në Kosovë, por theksoi se, kjo është çështje politike që kërkon zgjidhje politike.

Nga diplomatët evropianë ishte ministrja e Jashtme gjermane Annalena Baerbock e cila e cilësoi kërkesën serbe plotësisht të papranueshme.

Paralajmërimi i Beogradit, që është përsëritur disa herë ditëve të fundit nga zyrtarë serbë, nga autoritetet në Kosovës është cilësuar si një kërcënim më agresion.

Një pjesë e opozitës në Serbi tha gjatë javës se një kërkesë e tillë është e parealizueshme dhe po përdoret për nevoja të brendshme të pushtetit serb.

Milija Bishevac nga nisma qytetare për Zubin Potokun, tha se kërkesa e Serbisë për kthim të trupave në Kosovë tingëllon e pakuptimtë.

“Vet presidenti Vuçiç ka thënë se kjo nuk është e arritshme dhe do të marrë përgjigje negative, atëherë përse e bën një kërkesë të tillë? Përse t’i kthehemi Rezolutës 1244 kur kemi parasysh faktin se të gjitha marrëveshjet e Brukselit të nënshkruara pikërisht nga kjo qeveri në dhjetë vjetët e fundit, janë në kundërshtim me këtë rezolutë”, tha Bishevac.

Ai i bëri këto komente gjatë një debati me temën “Normalizimi i marrëdhënieve ndërmjet Beogradit dhe Prishtinës – cila është zgjidhja e qëndrueshme?”, të organizuar Qendra Mediale në Çagllavicë afër Prishtinës në të cilin u tha se situata aktuale në marrëdhëniet Kosovë – Serbi është më e ndërlikuar në vitet e fundit.

“Është e qartë se nuk ka kapacitete demokratike as nga njëra palë, as nga tjetra. Të dy palët, Serbia dhe Kosova, serbët (e Kosovës) po i përdorin si mjet për qërim hesapesh mbi situatat që nuk janë zgjidhur deri më tani”, tha politikani lokal serb Momçillo Trajkoviç.

Autoritetet në Kosovë thanë se situata në veriun e vendit vazhdon të jetë e pandryshuar dhe rrugët po mbahen të bllokuara. Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, ka thënë se pret që KFOR-i të zhbllokojë rrugët në veri, ndërsa diplomatët perëndimorë kanë thënë ditëve të fundit se preferojnë rrugët diplomatike për zgjidhjen e situatës në veri dhe bllokadat duhet të hiqen nga ata që i kanë vendosur.

(Edlira Bllaca, Zëri i Amerikës)