KFOR-i mohon se kishte ndërmjetësuar për largimin e paramilitarëve serbë nga Banjska

Prishtinë, 26 maj 2024 – Misioni i NATO-s në Kosovë, KFOR, e ka quajtur të pasaktë raportin e Grupit Ndërkombëtar të Krizës (ICG) ku thuhet se KFOR-i kishte negociuar me grupin e artmatosur të serbëve për t’u larguar nga Banjska, pas sulmit ndaj policisë së Kosovës.

KFOR-i ka thënë se ajo që ka thënë ICG s’është e vërtetë, duke theksuar se ky mision “në asnjë moment nuk është përfshirë në negociatat e supozuara” me pjesëtarë të grupit të armatosur serb, por pranon se e kishte shtuar praninë për të rivendosur sigurinë në zonë .

“Pasi u ftua për të përforcuar praninë e tij, KFOR-i është koordinuar ngushtë me Policinë e Kosovës dhe misionin e BE-së për Sundimin e Ligjit (EULEX) për t’i rivendusr sigurinë në zonë. Dhuna që ndodhi në Banjskë erdhi pas një sulmi ndaj paqeruajtësve të KFOR-it në maj të 2023-s, i cili rezultoi në plagosjen e 93 pjesetarëve të personelit të KFOR-it, disa prej të cilëve pësuan lëndime të rënda”, thuhet në një komunikatë të KFOR-it.

“Pas dhunës, NATO-ja i ka dislokuar rreth 1000 paqeruajtës shtesë dhe forca të blinduara më të rënda në Kosovë. Ky ka qenë përforcimi më i madh i kontingjentit tonë në Kosovë brenda një dekade, dhe kjo tregon se NATO-ja është e gatshme të ruajë paqen”, thuhet më tutje në komunikatën e KFOR-it.

Në komunikatë thuhet se NATO vazhdon të mbajë qëndrimin se sulmuesit në Banjskë duhet të përballen me drejtësinë.

Ky reagim i KFOR-it vjen një ditë pasi Lordi Mark Lancaster, raportues në Asamblenë Parlamentare të NATO-s, prezantoi në sesion pranveror të këtij mekanizmi, në Sofje, draftin e raportit në të cilin thuhet se zyrtarë të KFOR-it kishin negociuar për tërheqjen e një pjese të grupit të sulmuesve të armatosur serbë në Banjskë.

Draftraporti “Ballkani Perëndimor: Sfidat e reja të sigurisë në pragun e NATO-s”, përfshin edhe të dhëna nga raporti i Grupit Ndërkombëtar të Krizës (2 prill), në të cilin jepen hollësi për sulmin e 24 shtatorit të vitit 2023 në Banjskë.

“Pas një periudhe të shkurtër të depërshkallëzimit gjatë verës, në shtator të 2023-s, rreth 30 burra të armatosur u përplasën me policinë në Banjskë në veri të Kosovës dhe u barrikaduan brenda manastirit ortodoks serb, në atë që rezultoi me një rrethim që la të vrarë një zyrtar policor dhe tre sulmues. Zyrtarë të KFOR-it negociuan tërheqjen e pjesës së mbetur të grupit në malet përreth, nëpërmjet të cilave ata u zhdukën. Autoritetet e Kosovës besojnë se potencialisht qindra luftëtarë të tjerë po fshiheshin në malet mes Banjskës dhe kufirit me Serbinë si dhe se kanë zbuluar arsenal të madh të armëve, me kapacitet për të shkaktuar dëm dhe viktima të konsiderueshme – duke përfshirë lansues raketash anti-tank, lansues mortajash dhe granatash, mina anti-tank dhe 24 automjete (një e blinduar)”, thuhet në draftin e raportit të prezantuar nga Lancaster.

(r.m.)