KFOR-i thotë se po e heton incidentin me armë në Zubin Potok

Prishtinë, 26 dhjetor 2022 – Misioni paqeruajtës i NATO-s në Kosovë, KFOR, ka bërë të ditur se është duke e hetuar incidentin me armë pranë patrullës së tij në afërsi të Zubin potokut, në pjesën veriore të Kosovës, të banuar me shumicë serbe.

Në një pëgjigje për Telegrafin, KFOR-i përsëriti se incidenti është shkaktuar nga persona të armatosur tash për tash të paidentifikuar,

“KFOR-i është duke hetuar një incident indirekt zjarri, i cili ndodhi më 25 dhjetor në afërsi të patrullës së KFOR-it. Incidenti nga persona të panjohur të armatosur ndodhi në zonën e Zubin Potokut. Nuk ka të lënduar apo dëme materiale dhe po punohet për zbardhjen e të gjitha fakteve”, thuhet në përgjigjen e KFOR-it.

KFOR u ka ka bërë thirrje të gjitha palëve që të shmangin veprimet dhe retorikën që mund të shkaktojë tensione dhe përshkallëzim të situatës edhe ashtu te tensionuar. Gjithashtu, u ka kërkuar palëve që të ndihmojnë në sigurimin e lëvizjes së lirë.

“Duke qenë se janë planifikuar takime ndërmjet të gjitha palëve, është e rëndësishme që të gjithë të përfshirët të shmangin çdo retorikë apo veprim që mund të shkaktojë tensione dhe të përshkallëzojë situatën. Ne presim që të gjithë akterët të përmbahen nga shfaqjet provokuese të forcës dhe të kërkojnë zgjidhjen më të mirë për të garantuar sigurinë e të gjitha komuniteteve. Ne i nxisim të gjitha palët që të ndihmojnë në sigurimin dhe lirinë e lëvizjes në Kosovë dhe të parandalojnë narrativat mashtruese që të ndikojnë në procesin e dialogut”, thuhet në përgjigjen e KFOR-it.

Misioni paqeruajtës i NATO-s në Kosovë ka bërë të ditur se javët e fundit ka shtuar patrullimet në pjesën veriore të Kosovës dhe se do të vazhdojë kontaktet me të gjitha palët e përfshira në përpjekjetpër uljen e tensioneve atje.

“KFOR-i ka shtuar praninë dhe patrullimet e tij gjatë muajve të fundit. Ne mbetemi vigjilentë dhe plotësisht të aftë për të përmbushur mandatin tonë sipas Rezolutës 1244 të vitit 1999 për të gjitha komunitetet në Kosovë. Zgjidhjet duhet të kërkohen përmes dialogut”, thuhet në përgjigjen e KFOR-it.

Të dielën në mbrëmje, në komunën e Zubin Potokut, ka pasur të shtëna me armë zjarri pranë një patrulle të KFOR-it.

KFOR-i konfirmoi se pranë patrullës së tij që ishte duke monitoruar situatën pranë një barrikade afër Zubin Potokut ka pasur të shtëna me me armë nga persona të paidentifikuar.

“Po, mund të konfirmoj se para disa orësh KFOR-i, derisa ishte në detyrë në rrethinën e Zubin Potokut, ka dëgjuar dhe parë disa të shtëna afër patrullës. Të lënduar nuk ka dhe nuk ka dëme materiale. Tani po i kontrollojmë faktet dhe do t’ju përditësojmë”, thuhej në njoftimin e KFOR-it.

(r.m.)