KFOR kërkon përgjegjësi për plagosjen e mbi 90 pjesëtarëve të tij në veri të Kosovës një vit më parë

Prishtinë, 29 maj 2024 – Misioni paqeruajtës i NATO-s në Kosovë, KFOR, bëri thirrje të mërkurën që sulmuesit ndaj pjesëtarëve të tij një vit më parë në veri të Kosovës, të mbahen përgjegjës.

Këto thirrje u bënë në njëvjetorin e trazirave të dhunshme të 29 majit kur mbi 90 pjesëtarë të KFOR-it mbetën të plagosur gjatë përleshjeve me grupe protestuesish serbë që kundërshtonin dërgimin e kryetarëve shqiptarë të komunave veriore në zyrat e tyre pas zgjedhjeve të 23 prillit të vitit 2023 që u bojkotuan nga partitë politike serbe.

Në një komunikatë për shtypin, misioni i KFOR-it në Kosovë citon komandantin e tij Ozkan Ulutas të ketë thënë se këto sulme ishin të paprovokuara dhe krejtësisht të papranueshme.

“Guximi i (pjesëtarëve të KFOR-it) ndihmoi stabilizimin e situatës në zonë dhe parandalimin e një përshkallëzimi të mëtejshëm të dhunës”, citohet komandanti i KFOR-it, Ozkan Ulutaş.

Misioni i KFOR-it tha se pas dhunës, NATO-ja shtoi praninë e saj në terren me një mijë forca shtesë.

“Ne kemi shtuar patrullimet e KFOR-it në veri të Kosovës duke i trefishuar ato, përfshirë edhe patrullimet përgjatë vijës kufitare administrative. Ky ka qenë përforcimi më i madh i kontingjentit në Kosovë në një dekadë dhe kjo tregon se NATO-ja është e gatshme të ruajë paqen”, thuhet në komunikatën e këtij misioni.

Zhvillimet e një viti më parë nxitën tensione me Serbinë e cila ngriti shkallën e gatishmërisë së trupave ushtarake si dhe reagimin e ashpër të diplomacisë perëndimore e cila dënoi veprimet e autoriteteve të Kosovës.

Bashkimi Evropian vendosi masa ndëshkuese ndaj qeverisë së Kosovës për shkak të tensioneve në veri ndërsa i kërkoi plotësimin e disa kushteve për largimin e tyre, përfshirë mbajtjen e zgjedhjeve të reja në veri të vendit.

Qeveria u pajtua të organizojë zgjedhje të reja, përmes një votimi për shkarkimin e kryetarëve aktual, i cili dështoi muajin e kaluar për shkak të bojkotimit të votimeve nga pjesëtarët e komunitetit serb.

Autoritetet në Kosovë i kanë thirrje Bashkimit Evropian që të heqë masat ndëshkuese ndaj saj pas përmbushjes së detyrimeve për mbajtjen e procesit të votimit për largimin e kryetarëve në veri të vendit.

Zyrtarët të Bashkimit Evropian thonë se janë duke përgatitur një raport lidhur me përmbushjen e kushteve nga ana e autoriteteve në Kosovë për largimin e masave.

“Masat ishin vendosur si pasojë e veprimeve të pabashkërenduara dhe të njëanshme të Kosovës, që përshkallëzuan situatën dhe nuk ndihmuan në shtensionim. Masat ishin vendosur me qëllim që të motivohen autoritetet e Kosovës për të ndërmarrë hapa për shtensionim. Natyrisht, gjithçka që ndodh në terren dhe ka ndikim negativ në përpjekjet për shtensionim, është duke u marrë parasysh dhe është duke u përfshirë në raport“, tha zëdhënësi i Bashkimit Evropian Peter Stano gjatë një konference për shtyp një ditë më parë.

Partitë opozitare kanë kritikuar qeverinë se me veprimet e saj ka përkeqësuar marrëdhëniet me aleatët ndërkombëtarë ndërsa kërkojnë dorëheqjen e qeverisë dhe shpërndarjen e parlamentit për t’u hapur rrugën zgjedhjeve të reja dhe krijimin e një qeverie të re që do të mundësonte përmirësimin e marrëdhënieve me aleatët perëndimorë.

(Zëri i Amerikës)