Kira Yarmysh: Alexey Navalny është vrarë

Moskë, 17 shkurt 2024 – Zëdhënësja e udhëheqësit opozitar rus Aleksey Navalny, Kira Yarmysh, tha se Navalny është vrarë. Ajo kërkoi që trupi i të ndjerit t’i dorëzohet familjes.

“Aleksei Navalny është vrarë. Vdekja e tij ndodhi më 16 shkurt, në 2:17 të pasditës, siç shkruhet në njoftimin që i është dërguar nënës së Alekseyt. Avokati dhe nëna e tij e morën avionin për në Salekhard, për të marrë ndonjë konfirmim për vdekjen e tij… Jemi në pritje të raportit zyrtar për vdekjen dhe kërkojmë që trupi i Aleksey Navalnyt t’i dorëzohet menjëherë familjes”, tha zonja Yarmysh, në një mesazh në YouTube.

Ndërkohë, bashkëshortja e Navalnyt të ndjerë, Yulia Navalnya, e bëri përgjegjës për vdekjen e të shoqit dhe të të gjitha mizorive në Rusi presidention Vladimir Putin dhe regjimin e tij.

“Regjimi i tij dhe Vladimir Putini duhet të mbahen personalisht përgjegjës për të gjitha mizoritë që kanë kryer në vendin tim, në vendin tonë, Rusinë, gjatë viteve të fundit”, tha Yulia Navalnya, në Munih, ku mori pjesë në konferencën ndërkombëtare të sigurisë.

Aleksei Navalny u shfaq për herë të fundit me një videolidhje të enjten, më 15 shkurt, gjatë një seance gjyqësore.

Më herët këtë muaj, gjatë një seance gjyqësore, Navalny i këshilloi punonjësit e burgjeve që në zgjedhjet presidenciale të Rusisë të votojnë kundër Putinit.

“Thjesht duhet të votoni për një tjetër kandidat. Kam hartuar një listë të personave me të cilët jam në kontakt dhe të kontributeve sociale të tyre. Jua rekomandoj”, tha ai në një videolidhje.

Shërbimi i Burgjeve të Federatës Ruse njoftoi për vdekjen e Navalnyt të premten. Sipas njoftimit, ai ka vdekur pas shetitjes së zakonshme dhe ekipi mjekësor nuk ka arritur ta mbajë në jetë.

Këtë e tha edhe spitali publik në qytetin Labitnangi, i cili ndodhet pranë kolonisë së burgut ku po e vuante denimin Navalny.

“Mjekët që mbërritën në vendin e ngjarjes vazhduan reanimacionin e kryer tashmë nga mjekët e burgut. Ata e bënë atë për më shumë se 30 minuta. Megjithatë, pacienti vdiq”, tha spitali.

Në vitin 2020, Navalny ishte helmuar në Rusi me një agjent nervor dhe u dërgua për trajtim mjekësor në Gjermani. Gjatë trajtimit në spital dhe pas kthimit në Rusi ai e ka fajësuar Putinin për helmimin e tij.

Navalny, 47-vjeçar, i cili ishte kritik i ashpër i presidentit rus Vladimir Putin dhe i regjimit të rij, po e vuante në burgun ku vdiq një dënim prej 30 vjetësh. Ai është dënuar për shkak të kritikave të tij ndaj Putinit dhe qeverisë së tij.

(r.m.)