KLGJ miraton planin e komunikimit me publikun

Këshilli i Lartë Gjyqësor (KLGJ) miratoi të mërkurën “Planin e komunikimit për sistemin gjyqësor” që parashikon një transparencë të madhe të gjykatave me publikun dhe përdorimin e rrjeteve sociale si Facebook e Twitter.

Blerina Gjoka, BIRN

Anëtarët e KLGJ-së miratuan me votë unanime të mërkurën “Planin e komunikimit për sistemin gjyqësor”, duke e cilësuar këtë të fundit si një hap përpara për transparencën e sistemit.

“Sistemi gjyqësor është i përkushtuar për të garantuar transparencë dhe informim të publikut përmes përdorimit të platformave të reja të komunikimit të cilat mundësojnë informacion të shpejtë dhe akses në çdo kohë për të gjithë qytetarët”- thuhet në relacionin shoqërues që u paraqit në mbledhje nga gjyqtarja për mediat Marçela Shehu.

Plani ka 6 objektiva që kanë të bëjnë me informimin, edukimin juridik të publikut dhe promovimin e punës së sistemit gjyqësor nëpërmjet rrjeteve sociale dhe aktiviteteve.

Të gjitha këto objektiva shoqërohen me një manual veprimesh për gjykatat. 

Për shembull objektivi për “Identifikimin, promovimin, informimin dhe rritjen e transparencës së sistemit gjyqësor nëpërmjet përdorimit të teknologjisë së informacionit”  parashikon; Krijimin, plotësimin ose përditësimin e llogarive në rrjete sociale, Facebook, LinkedIN dhe Twitter për secilën Gjykatë; video informuese për përdorimin e ëebsite të gjykatave; apo krijimi i një gazete elektronike për veprimtarinë e Gjykatës së Lartë, ndryshimet në legjislacion, vendime unifikuese, statistika, etj.

Në objektin për forcimin e komunikimit me median dhe organizatat e shoqërisë civile KLGj e sheh të materializuar përmes takimeve informuese periodike, intervistave të gjyqtarëve, komunikimit të vendimeve gjyqësore për çështje që kanë interes të veçantë publik në media.

Në objektivin për të afruar komunitetin me gjykatat plani detajon organizimin e aktiviteteve publike dhe fushatave ndërgjegjësuese për Javën e Drejtësisë, që nga krijimi i logove, posterave, bluzave promovuese e deri tek përdorimi I hashtag-ut për postimet në rrjete sociale nga KLGJ dhe gjykatat.

Në një komunikim me BIRN pas mbledhjes, Shehu tha se plani i komunikimit për gjykatat lidhet me punën që duhet të bejë çdo gjykatë për të prezantuar punën dhe veprimtarine e saj dhe se “për marrëdhëniet media-gjykata po punojmë për hartimin e udhëzuesit të shtypit”.

Projekt-akti i miratuar nga KLGJ, sipas relacionit, kërkon qasje proaktive të gjykatave dhe i ngarkon ato me detyrën që brenda 1 muaji nga hyrja në fuqi e tij të caktojnë personin përgjegjës për komunikimin, i cili do të vërë në zbatim këtë plan pune.

(Reporter.al)