Klingbeil: Kurti është njeri me arsye të shëndoshë, por duhet të krijojë aleancë me BE-në

Berlin, 13 shkurt 2024 – Kryetari i SPD-së gjermane, Lars Klingbeil, i cili qëndroi në Ballkanin Perëndimor javën e kaluar, e quajti kryeministrin e Kosovës, Albin Kurti, “njeri me arsye të shëndoshë”. Por, ai theksoi se Kurti duhet të hedhë hapa të mëtejshëm drejt një aleance më të ngushtë të Kosovës me Bashkimin Evropian.

“Në nëntor në Shtëpinë e Bardhë mund të hyjë Trumpi, që mund ta bllokojë mbështetjen e rëndësishme të SHBA-së. Me fjalë të tjera, nëse SHBA-ja largohet, stabilitet në Kosovë mund të sjellë vetëm një aleancë më e ngushtë me Brukselin, e cila e ka çmimin e saj”, citohet Klingbeil nga portali t-online.

Klingbeil, gjatë vizitës në Ballkanin Perëndimor, u takua me liderët e partive socialdemokrate të pesë vendeve të rajonit, përfshirë kryeministrin e Kosovës, Albin Kurti. Ai tha se nuk e kishte Serbinë në axhendën e vizitës së tij, për shkak të ndikimit të Rusidë dhe Kinës në Beograd.

“Serbia, fuqia kryesore ekonomike e rajonit, konsiderohet si një portë për ndikimin rus dhe kinez. Pekini investon miliarda në infrastrukturën serbe, Moska e furnizon gaz të lirë dhe me dezinformata antiperëndimore. Kreu i qeverisë serbe, Aleksandar Vuçiq, provokon hapur me qëndrimin e tij prorus, ndërsa pretendon se dëshiron ta ndjekë edhe rrugën evropiane”, tha Kryetari i SPD-së gjermane, Lars Klingbeil,

Portali t-online raporton se ministri gjerman i Mbrojtjes, Boris Pistorius, gjatë vizitës së tij në Beograd, pak ditë më parë, “kërkoi në mënyrë jashtëzakonisht të qartë që Serbia të zgjedhë midis Evropës dhe Rusisë”.

“Ju nuk mund të hani në dy çanakë”, citohet të ketë thënë Pistorius në Beograd, gjë që e ngriti në kulm zemërimin e Beogradit.

(r.m.)