KLP e sfidon Kolegjin, propozon rikthimin e prokurorit Besnik Cani në detyrë

Tiranë, 30 mars 2023 – Këshilli i Lartë i Prokurorisë (KLP) propozoi përmes një draft-projekti rikthimi në detyrë i ish-prokurorit Besnik Cani, bazuar mbi kërkesën e tij dhe një interpretim kontrovers të vendimit të Gjykatës së Strasburgut. Vendimarrja u shty për shkak të qëndrimit të Avokatit të Shtetit, i cili ia kujtonte KLP-së detyrat kushtetuese të Kolegjit të Posaçëm të Apelimit.

I mbledhur në seancë plenare të enjten, Këshilli i Lartë i Prokurorisë e shtyu shqyrtimin e pikës 3 të rendit të ditës, që kishte të bënte me diskutimin dhe miratimin e një projekt-akti për rishikimin e një vendimi të Këshillit sa i përket mbarimit të mandatit të ish-prokurorit Besnik Cani si anëtar i KLP-së.

Kur diskutimet mbërritën në këtë pikë, anëtarja e KLP-së, Nurihan Seiti kërkoi fjalën para se relatori i draftit, Bujar Sheshi të lexonte projektin.

Seiti kërkoi të dinte nëse në projekt ishte marrë parasysh qëndrimi i Avokatit të Shtetit, që siç tha ajo, i kërkonte KLP-së në një relacion “të lidhte vendimmarrjen e tij me detyrat kushtetuese të Kolegjit të Posaçëm të Apelimit”.

Sheshi tha se relacioni i Avokatit të Shtetit ishte bashkëlidhur vendimit të Gjykatës së Strasburgut për cështjen Cani kundër Shqipërisë, por tha se komisioni “nuk e ka marrë parasysh”. Sheshi tha se KLP ishte marrë vetëm me vendimin e saj dhe kërkesën e subjektit. Por menjëherë pas kësaj, kërkoi shtyrje të vendimmarrjes “për të parë edhe këtë element”.

Pas seancës, kryetari i KLP-së, Alfred Balla i tha BIRN se projekt-akti parashikonte kthimin e Canit si prokuror në prokurorinë e Elbasanit. “Në KLP nuk e kthejmë dot, kështu që u propozua kthimi në prokurorinë e Elbasanit,” tha Balla.

Balla la të kuptohej se vendimi i Kolegjit të Posaçëm të Apelimit që vendosi shkarkimin e Canit, ishte rrëzuar pas vendimit të Gjykatës së Strasburgut, ndërsa interpretoi se në fuqi mbetej vendimi i shkallës së parë të vetingut, që e pati konfirmuar Canin në detyrë.

Ish-prokurori Besnik Cani u shkarkua nga Kolegji i Posaçëm i Apelimit më 27 shkurt 2020, ndërsa ishte anëtar i Këshillit të Lartë të Prokurorisë. Sipas vendimit të KPA-së, Cani kishte cënuar besimin e publikut te drejtësia si dhe kishte bërë deklarim të pamjaftueshëm të pasurisë.

Pas kallëzimeve dhe ankimeve ndaj dy anëtarëve të trupës, Luan Daci dhe Ardian Hajdari, Cani e ankimoi vendimin në Gjykatën e Strasburgut.  Më 4 tetor 2022, Gjykata Europiane e të Drejtave të Njeriut gjeti shkelje të nenit 6.1 të Konventës për të Drejtat e Njeriut sa i përket “të drejtës së një gjykate të krijuar me ligj” në vetingun e ish-prokurorit Besnik Cani kundër Shqipërisë.

Sipas Strasburgut, zgjedhja e Luan Dacit nga Kuvendi i Shqipërisë në Kolegjin e Posaçëm të Apelimit ishte bërë pa kryer verifikimet e duhura prej autoriteteve dhe se Daci nuk duhej të kualifikohej për të qenë anëtar i KPA.

Por Gjykata e Strasburgut i rrëzoi kërkesat e tjera të Canit, përfshi atë për t’u rikthyer në detyrë dhe kërkimin për një dëmshpërblim financiar me rrogën mujore. Vendimi nuk jep një zgjidhje përfundimtare për rastin dhe për procesin e rivlerësimit dhe e lë atë në dorë të qeverisë shqiptare dhe vetë Canit, ndërsa sugjeron si zgjidhje rihapjen e dosjes së rivlerësimit dhe gjykimin nga një trupë e krijuar sipas ligjit.

“Gjykata merr parasysh qëndrimin e qeverisë se mund të ketë një rrugë ligjore për kërkuesin për të kërkuar rihapjen e procedurave. Prandaj, duke pasur parasysh rrethanat e çështjes në fjalë dhe në masën që kjo mund të jetë e mundur sipas ligjit të brendshëm, forma më e përshtatshme e dëmshpërblimit për shkeljen e së drejtës së kërkuesit për një “gjykatë të krijuar me ligj” sipas nenit 6.1 të konventës do të ishte rihapja e procesit, nëse ankuesi e kërkon këtë rihapje, dhe rishqyrtimi i çështjes në një mënyrë që është në përputhje me të gjitha kërkesat e nenit 6 .1 të Konventës,” thuhet në vendim.

Ndërkohë, Strasburgu e ka rrëzuar shprehimisht kërkesën e Canit për të prishur vendimin e Kolegjit dhe po ashtu edhe për të urdhëruar kthimin e tij në detyrë.

I pyetur mbi vendimin e Gjykatë së Strasbugut, Balla tha se KLP merrte në shqyrtim rastin sa i përket vendimmarrjes së vetë Këshillit, duke iu referuar vendimit 76 të 4 marsit 2020 që shpallte mbarimin e mandatit të Canit si anëtar i Këshillit. I pyetur mbi argumentet ligjore, Balla tha se bëhej fjalë vetëm për draft. “Kur ta mbarojmë. Tani është draft i propozuar KLP-së,” shtoi ai.

Seanca e mbledhjes së KLP-së  u ndoq nga përfaqësues të Ambasadës së Shteteve të Bashkuara të Amerikës.

(Repoter.al)