KLP: Pretendimet e Ramës ndaj Prokurorisë mund të verifikohen nga ILD

Tiranë, 8 maj 2024 – Këshilli i Lartë i Prokurorisë (KLP) i pyetur nga BIRN lidhur me akuzën e kryeministrit Edi Rama ndaj Prokurorisë së Tiranës se në këtë institucion të hetimit mbrohet evazioni fiskal, reagoi duke u shprehur se pretendimet për punën e prokurorëve mund të shprehen hapur deri në masën pa ushtruar ndikim.

“Çdo ent publik apo privat, media dhe çdo qytetar si taksapagues mund të ketë pretendime për punën e prokurorëve të veçantë dhe në një vend të lirë demokratik mund ta shprehin hapur, deri në masën pa ushtruar ndikim të paligjshëm mbi ta”, citohet në përgjigjen që KLP ktheu mbrëmjen e të martës.

Kryeministri Edi Rama hodhi akuza ndaj Prokurorisë së Tiranës të martën më 7 maj, gjatë një mbledhjeje të grupit parlamentar të Partisë Socialiste. Ai pohoi se në Prokurorinë e Tiranës mbrohet evazioni fiskal. Sipas kryeministrit, janë 80 raste për evazion fiskal që flenë prej vitesh në këtë prokurori. Ai nënvizoi se ka të denoncuar për qindra miliona euro të shmangura nga detyrimet tatimore edhe nga ata që ndryshe quhen oligarkë.

Prokuroria e Tiranës sqaroi se 35% çështjeve të evazionit fiskal prej vitit 2021 e në vijim, janë dërguar për gjykim dhe e cilësoi këtë përqindje të njëjtë me rastet e veprave të tjera penale për të cilat ëhstë dërguar kërkesë për gjykim.

Ndërkohë, KLP thotë në përgjigje se nuk ka kompetencë për kontrollin e mirëfilltë mbi hetimet e prokurorëve të cilët sipas legjislacionit të ri të miratuar në kuadër të Reformës në Drejtësi, janë të pavarur nga drejtuesit e tyre dhe prej këshillit, ndërsa varen proceduralisht vetëm nga gjykata.

“Në rastin e pretendimeve të kreut të ekzekutivit ato mund të verifikohen nga Inspektoriati i Lartë i Drejtësisë (ILD) qoftë me kontrolle tematike, qoftë me hetime administrative për prokurorë të veçantë”, citohet ndër të tjera në përgjigjen e KLP.

(Reporter.al)

Comment

*