KLSH: Të sëmurët me tumor nuk marrin shërbimin e duhur

Tiranë, 29 gusht 2023 – Një raport auditi i Kontrollit të Lartë të Shtetit vëren se pajisjet bazë për trajtimin e pacientëve me sëmundje tumorale nuk funksionojnë, ndërkohë që buxheti për trajtimin e tyre zë një peshë të vogël në buxhetin e QSNUT.

Një audit i Kontrollit të Lartë të Shtetit për periudhën 2020-2022 del në përfundimin se pacientët me tumor nuk marrin shërbimin e duhur në Qendrën Spitalore Universitare “Nënë Tereza” për shkak të mosfunksionimit të pajisjeve, shpenzimeve buxhetore dhe investimeve në pavionin e Onkologjisë.

Sipas raportit të KLSH, edhe pse numri i pacientëve është në rritje dhe sëmundjet tumorale mbeten shkaku i dytë më i shpeshtë i fataliteteve në Shqipëri, duke shkaktuar rreth 16% të vdekjeve çdo vit, buxheti për trajtimin e tyre zë një peshë të vogël në buxhetin e QSUNT-së.

Gjithashtu, sipas KLSH-së, shpenzimet buxhetore nuk kanë ndjekur prirje të rritjes së tyre krahasuar me buxhetin e përgjithshëm të QSUT-së. Raporti konstaton se ndonëse numri i pacientëve me sëmundje tumorale është në rritje, buxheti për trajtimin e tyre është në rënie të konsiderueshme.

KLSH cilëson “shqetësues” faktin që si QSUNT, Spitali Onkologjik dhe Spitalet e Rajonale, mbajnë buxhete historike, të cilat nuk ndryshojnë në vite dhe shfaqen me mungesë stafi, mungesë pajisjesh e medikamentesh.

Mungesa e pajisjeve

Edhe pse KLSH rreshton një sërë problemesh për shërbimin onkologjik, duket se problematika më e madhe lidhet me mosfunksionimin e disa pajisjeve bazë që përdoren për trajtimin e kancerit, gjë që ka lënë qindra pacientë pa këtë shërbim jetik për ta.

“Konstatohet se numri i rasteve të trajtuara pranë shërbimit të radioterapisë, mbështetet në 4 pajisje kryesore, nga të cilat Brakiterapia nuk është funksionale përgjatë gjithë periudhës së auditimit, ndërsa Ortovoltazhi nuk funksionon që prej datës 02.11.2022,” thuhet në raport.

Sipas raportit, mungesa e aparatit të Ortovoltazhit ka sjellë mostrajtimin e 200 pacientëve, të cilët nuk e kanë marrë këtë shërbim me radioterapi, duke përbërë faktor risku për shëndetin e tyre.

Pas disa kërkesave, më në fund drejtoria e QSUNT-së ka dërguar një aparat të ri  donacion nga Agjencia Ndërkombëtare e Energjisë Atomike në janar të këtij viti, por raporti vlerëson se aparati nuk ishte instaluar ende dhe pengohet nga procedurat burokratike të institucionit.

KLSH konstaton se mungojnë dhe pajisje të tjera me rëndësi në trajtimin e sëmundjeve tumoriale si; tubusat e aparatit të shiringës elektrike; pompa; maskat termoplastike individuale.

Vetëm për maskat termoplastike nevoja minimale në vit përllogaritet 250 copë, ndërkohë që sipas kontastimit të KLSH-së, – mossigurimi i tyre “përbën shkak për pasoja serioze për shëndetin e pacientëve” .

Auditi ka konstatuar probleme dhe me insfrastrukturën, numrin e vogël të shtretërve për kimioterapinë dhe prezencën e lagështirës në dhomat e pacientëve

Rritja e pajustifikuar e kostove për depistimin e kancerit të qafës së mitrës është një tjetër gjetje e auditit. Sipas raportit, “kosto e shpenzimeve rritet me 261 herë”, shifra këto të paargumentuara dhe të pajustifikuara nga Ministria e Shëndetësisë.

Shërbimi i onkologjisë është i decentralizuar dhe spitalet rajonale janë pjesërisht efektive në trajtimin e tyre, për shkak të mungesës së burimeve njerëzore, kapaciteteve spitalore dhe pajisjeve dhe materialeve mjekësore.

KLSH vë në dukje në raport se Ministria e Shëndetësisë dhe Mbrojtjes Sociale ka dështuar që të ketë raporte monitorimi dhe vlerësimi për ecurinë e kancerit për vitet 2021-2022 dhe realizojë Regjistrin Kombëtar të Kancerit.

(Reporter.al)