Koffler: Grupi terrorist serb që sulmoi në veri të Kosovës ishte i lidhur me forcat speciale serbe dhe inteligjencën ushtarake ruse

Uashington, 27 shtator 2023 – Rebekah Koffler, presidente e “Doctrine & Strategy Consulting”, ish-oficere e Agjencisë së Inteligjencës së Mbrojtjes së SHBA-së, ka thënë se grupi terrorist serb që sulmoi Policinë e Kosovës në pjesën veriore të vendit këtë fundjavë është i ndërlidhur me forcat speciale serbe dhe me inteligjencën ushtarake ruse.

Zonja Koffler ka deklaruar për “Fox News Digital” se në këtë konkluzion çojnë analizat paraprake të ngjarjes.

“Analiza paraprake e inteligjencës bën me dije se personat e përfshirë në përleshjen vdekjeprurëse pranë fshatit Banjskë në veri të Kosovës më 24 shtator, ishin të lidhur me forcat speciale serbe dhe inteligjencën ushtarake ruse”, tha Koffler, transmeton televizioni Klan Kosova.

“Sulmuesit dukeshin të trajnuar profesionalisht dhe disa prej tyre flisnin serbisht dhe rusisht. Ndërsa prania e mercenarëve të Wagner-it nuk mund të konfirmohej, nuk e përjashtoj mundësinë e pjesëmarrjes së tyre në këto ngjarje të fundit”, tha ajo.

Koffler tha se Rusia dhe Serbia po punojnë për ndezjen e konfliktit në Kosovë.

“As Rusia dhe as Serbia, të cilët janë aleatë të vendosur, nuk e njohin pavarësinë e Kosovës. Është qëllimi i tyre afatgjatë për të ndryshuar situatën. Ka indikacione se Rusia dhe Serbia po punojnë së bashku për të ndezur një konflikt tjetër masiv serbo-shqiptar, për të krijuar justifikim për dislokimin e forcave serbe për të siguruar ‘paqe dhe stabilitet’”, tha ajo.

“Operacionet e fshehta të destabilizimit të kryera nga grupe mercenare si Wagner janë një zanat i vjetër standard i përdorur nga Putini kur ai ka nevojë për të fshehur dorën e qeverisë ruse. Do të ishte në përputhje me doktrinën ruse të përshkallëzimit anësor nëse Putini do ta ndihmonte Vuçiqin për të zhvilluar një fushatë destabilizimi në Kosovë për të larguar vëmendjen e Uashingtonit dhe forcave të NATO-s nga Ukraina. Ajo që Putini ka më shumë frikë është vendosja e forcave të NATO-s në arenën në Ukrainë”, tha Koffler.

(r.m.)