Koha ditore: Nenad Gjuriq është bashkëpuntor i Zvonko Veselinoviqit

Prishtinë, 26 qershor 2013 – Gazeta “Koha ditore” shkruan se ushtruesi i detyrës së komandantit të Drejtorisë së Policisë së Kosovës për komunat me shumicë serbe në veri të Kosovës, Nenad Gjuriq, ka qenë bashkëpunëtor i ngushtë i kontrabandistit të njohur nga Mitrovica, Zvonko Veselinoviq, i cili po gjykohet në Beograd, për vepra të ndryshme kriminale.

“Zvonko Veselinoviq nuk do të kishte namin që ka pa ndihmën e Nenad Gjuriqit. Së bashku me ish- kolegun Milia Milosheviq konsiderohen bashkëpunëtorët më të ngushtë të kontrabandistit nga Mitrovica. Veselinoviq po gjykohet në Beograd, e Prishtina Nenad Gjuriqin pos që e ka rikthyer në punë, e ka avancuar në pozitën e drejtorit të policisë rajonale”, shkruan gazeta.

“Pas dy vjetësh largimi nga Policia e Kosovës, për shkak të thyerjes së zinxhirit komandues, moszbatim urdhrash dhe përfshirje në krim, Nenad Gjuriq tash është emëruar nga ministri i Punëve të Brendshme, Bajram Rexhepi, në pozitën e ushtruesit të detyrës për Drejtorinë Rajonale të Policisë në veri.
Gjuriq, ish komandant i Stacionit Policor në Zveçan, do të ketë për detyrë funksionalizimin e Drejtorisë së Policisë së Kosovës në atë pjesë, që prej një dekade ka pasur probleme operimi”, shkruan gazeta.
“Koha Ditore” shkruan se ajo ka një dosje të inteligjencës së EULEX-it dhe Njësisë për hetimin e krimit të organizuar e Policisë së Bashkimit Evropian, një pjesë e së cilës dokumenton përfshirjen në krim të organizuar dhe mosbindje ndaj autoriteteve të Prishtinës të Nenda Gjuriqit. Në të përmendet mundësimi i kontrabandës, pagesat për pushime, e darkat që Nenad Gjuriq kishte pasur me Zvonko Veselinoviqin pas shërbimit që kishte kryer për grupin e tij krimin.

R.M.