Komandanti i KFOR-it dhe shefi i ushtrisë serbe biseduan për situatën e sigurisë në Kosovë

Beograd, 7 gusht 2024 – Komandanti i misionit të NATO-s në Kosovë, KFOR, gjenerali Ozkan Utulash, u takua të mërkurën në Beograd me shefin e Shtabit të Përgjithshëm të Forcave të Armatosura të Serbisë, gjeneralin Millan Mojsilloviq.

Ministria e Mbrojtjes e Serbisë njoftoi se ky ishte një takim i rregullt i nivelit të lartë, ku u bisedua edhe për bashkëpunimin mes ushtrisë serbe dhe KFOR-it “për krijimin e një mjedisi të sigurt” në Kosovë.

“Duke pasur parasysh se situata e sigurisë në Kosovë e Metohi është e paqëndrueshme dhe e ndjeshme, bashkëbiseduesit u pajtuan se është e nevojshme të vazhdojë bashkëpunimi i mirë i deritashëm dhe komunikimi i drejtpërdrejtë në të gjitha nivelet”, thuhet në njoftimin e Ministrisë së Mbrojtjes.

Në njoftim thuhet se Ulutash e Mojsilloviq kanë biseduar edhe “veprimet” e ushrisë serbe dhe të KFOR-it për “parandalimin e ndonjë krize në krahinë [“krahinë”, reference për Kosovën].  

“Një bisedë u zhvillua gjithashtu për veprimet e ndërmarra nga Forcat e Armatosura të Serbisë dhe nga forcat ndërkombëtare në krahinë, për vëzhgimin e gjendjes në terren, parandalimin e krijimit të ndonjë krize dhe për të ofruar përgjigje efikase, në rast se siguria kërcënohet”, thuhet në komunikatë.

Takimi i gjenralit Ulutash me gjeneralin Mojsilloviq vjen pak ditë pasi autoritetet e Kosovës i mbyllën nëntë filiale të Postës së Serbisë në katër komunat veriore të Kosovës dhe paralajmëruan hapjen për qarkullim të automjeteve të urës kryesore mbi lumin Ibër në Mitrovicë, e cila e ndan qytetin në dy pjesë: pjesën jugore, të banuar me shumicë shqiptare, dhe në pjesën veriore, të banuar me shumicë serbe.

Shtetet e QUINT-it, BE-ja dhe KFOR-i e kundërshtojnë hapjen e urës “në mënyrë të njëanshme”. Madje, BE ka thënë se çështja e hapjes së urës duhet të zgjidhet në kuadër të dialogut, ndonëse kjo kjo çështje ishte zgjidhur me marrëveshjen për qarkullim të lirë, të nëshkruar në bruksel në vitin 2015.

KFOR-i paralajmëroi se është i gatshëm t’i ndërmarrë “të gjitha masat e nevojshme” për të luftuar “zhvillimet që mund ta cenojnë sigurinë dhe stabilitetin” në Kosovë.

(r.m.)