Komisioni Evropian ka vendosur për heqjen e një pjese të masave ndaj Kosovës

Prishtinë, 16 dhjetor 2025 – Zëvendëskryeministri në detyrë i Kosovës, Besnik Bislimi, nëpërmjet një postimi në Facebook, njoftoi se nga drejtori i Përgjithshëm për Zgjerim të Bashkimit Evropian, Gert Jan Koopman, është njoftuar se Komisioni Evropian “ka vendosur për heqjen e shumicës së masave ndaj Kosovës”. Ai ka thënë se heqja e masave ka të bëjë me projekte të lidhura me programet IPA, në vlerë prej 34.6 milionë euro.

“Gjatë ditës së sotme kam pranuar një letër nga Drejtori i Përgjithshëm për Zgjerim të Bashkimit Evropian, Gert Jan Koopman, ku komunikohet se Komisioni ka vendosur për heqjen e shumicës së masave ndaj Kosovës. Bëhet fjalë për projekte të lidhura me programet IPA, në vlerë prej 34.6 milionë euro”, ka shkruar ai.

Bislimi ka thënë se hapi i radhës i BE-së duhet të jetë heqja e të gjitha masave ndaj Kosovës, duke theksuar se “nuk ka më asnjë arsye që një pjesë e tyre të mbeten në fuqi”.

“Në vazhdimësi kemi insistuar për heqjen e masave. Mirëpresim hapin e radhës nga ana e BE-së, i cili duhet të vijojë sa më parë me heqje të plotë të tyre. Nuk ka më asnjë arsye që një pjesë e tyre të mbeten në fuqi, sidomos pas transferimit të pushtetit në katër komunat në veri në mënyrë ligjore dhe të qetë”, ka theksuar ai.

Bislimi i ka publikuar edhe letrën e Drejtorit të Përgjithshëm për Zgjerim të Bashkimit Evropian, Gert Jan Koopman, dhe listen e projekteve që do të financohen nga programet IPA.

 

 

Rikard Jozwiak, redaktor për Evropën i Radios Evropa e Lirë, në Pragë, ka marrë vesh nga burimet e tij se për çështjen e heqjes së masave ndaj Kosovës është diskutuar në Bruksel javën e kaluar. Sipas burimeve të tij, Franca dhe Italia janë mbështetëse të idesë që tani të hiqen vetëm 50 për qind e masave.

Sipas Jozwiak, para zgjedhjeve të parakohshme parlamentare të 28 dhjetorit në Kosovë duket se nuk do të ketë përparim në drejtim të heqjes së plotë të masave të BE-së ndaj Kosovës.

(r.m.)