Tiranë, 29 prill 2026 – Kompania shtetërore shqiptare “Kayo” dhe kompania italiane “Fincanteri”, nënshkruan sot marrëveshjen për prodhimin e anijeve në kantierin e Pashalimanit, në Shqipëri.
Marrëveshja parashikon prodhimin e anijeve të vogla dhe të mesme për Forcat e Armatosura të Shqipërisë dhe për eksport në tregjet ndërkombëtare.
Ministri i Mbrojtjes i Shqipërisë, Ermal Nufi, tha se me këtë marrëveshje në Shqipëri fillon një hap i ri në prodhimin të mjeteve lundruese detare.
“Kjo marrëveshje është një vlerë e shtuar jo vetëm për Shqipërinë, por dhe për eksportin. Do arrijmë të prodhojmë edhe për nevojat e Shqipërisë, por edhe për eksport”, tha ai.
“’Ficantieri’ do të sjellë edhe punë dhe në planin e biznesit që kemi nënshkruar, rreth 400 persona do të punësohen në këtë kantier të ri. Do të ketë rritje të kapaciteteve vendase prodhuese dhe humane”, tha Nufi.
Ai tha se me marrëveshje parashikohet që në këtë kantier të punësohen rreth 400 punëtorë.
“Rreth 400 persona do punësohen në këtë kantier të ri, i cili është një gur themeli, jo vetëm për prodhimin industrial por edhe për punësimin e të rinjve dhe të rejave për një teknologji të fjalës së fundit që do zhvillohet në Vlorë dhe që do të përfshijë, jo vetëm prodhimin e mjeteve lundruese, por patjetër edhe rritjen e kapaciteteve vendase si industriale dhe prodhuese, por dhe humane që është një element i shtuar dhe shumë i rëndësishëm”, theksoi ai.
Kryeministri Edi Rama e cilësoi marrëveshjen si moment të rëndësishëm për sigurinë, por edhe për ekonominë e Shqipërisë. Ai tha se në kantierin e Pashalimanit do të ndërtohen anije për ushtrinë shqiptare, por edhe për ushtritë e vendeve aleate.
Rama tha se edhe dy anije do të ndërtohen për Forcat e Armatosura të Shqipërisë.
“… do të jemi të parët që do të përfitojmë nga produktet e shoqërisë, në mënyrë konkrete. Dy nga anijet e para do të ndërtohen për forcat tona të armatosura, që do ta çojnë në 7 numrin e flotës sonë”, tha ai.
“Më pas prodhimi do të vazhdojë më tej për të eksportuar këto anije, aty ky është e qartë që teknologjia e re dhe inovacioni që do të shoqërojë këtë rrugëtim do të implementimet. Është diçka fantastike”, shtoi Rama.
(r.m.)