Kompanitë e inceneratorëve i shpërblyen zyrtarët që u ndihmuan, por edhe familjarët e tyre

Tiranë, 16 shkurt 2022 – Sikur nuk u mjaftonte fakti që kanë grabitur pa asnjë lloj skrupulli financat publike me kompani fictive dhe e kanë shpërblyer vetveten me kompani konsulence të krijuara nga ato vetë, kompanitë e inceneratorëve i kanë shpërblyer hapur edhe zyrtarët që i kanë ndihmuar në krijimin e kësaj skeme korruptive.

Në borderotë e tyre të pagave figurojnë madje edhe familjarë të zyrtarëve që u ndihmuan, në  mesin e të cilëve rezulton të jetë edhe Edmond Bllako, babai i deputetit socialist Alqi Bllako, njërit prej njerëzve kyç në aferën e inceneratorëve, i cili, në periudhën që është dhënë koncesioni për inceneratorin e Tiranës, e ka mbajtur detyrën e Sekretarit të Përgjithshëm në Ministrinë e Mjedisit.

Në të njëjtën periudhë kohore, babai i tij, Edmond Bllako, ka qenë i punësuar në kompaninë “Integrated Energy BV SPV”.

Sipas dokumenteve zyrtare që publikohen nga Balkanweb, babai i Alqi Bllakos rezulton të jetë paguar afro 10 milionë lekë të vjetra në muaj. Pagesat janë kryer në muajt tetor, nëntor dhe dhjetor të vitit 2018, gjatë vitit 2019 dhe në janar të vitit 2020.

Inceneratoret Bllako

E pyetur në komisionin hetimor, lidhur mbi këtë veprim nepotist, ku skema e shkurtër shkon nga zyrtari që e firmos koncesionin te kompania dhe më pas babai i tij që shpërblehet me pagë mujore që shqiptarët as nuk mund ta ëndërrojnë, Arjola Kodra, administratore e Inceneratorit të Tiranës, edhepse u përpoq ta anashkalonte këtë fakt përballë Komisionit Hetimor, nuk mundi ta mohonte një shpërblim të tillë.

Tabaku: Bllako është i punësuar si justifikohet pagesa?

Kodra: Zotëria nuk është më.

Tabaku: S’ka marrë pagesë?

Kodra: Nuk i mbaj mend pagat. Është punësuar në kohën para administrimit tim. Bllako, është punësuar nga një administrator paraardhës i imi. Bllako është larguar 2019-2020.

Pavarësisht insistimit të deputetes demokrate në Komisionin Hetimor për inceneratorët, Jorida Tabaku, në lidhje me pagat shumë të larta me të cilat kjo kompani i shpërblente punonjësit e saj preferencial, administratorja e inceneratorit të Tiranës, Arjola Kodra, tha se kompania është private dhe ka të drejtë t’i caktojë vetë pagat.

Tabaku: Kam pagat e kompanisë së inceneratorit, që janë paga 3 herë më të larta se pagat e tregut. Janë paga që paguhen me fondet publike. 35 milionë euro ka marrë kompania. Pse pagat janë 3 herë më të larta se pagat mesatare të tregut?

Administratorja: Shoqëria është private dhe ka të drejtë të vendosë standardin e pagave vetë.

Tabaku: Pagat janë 7 mijë euro, janë më të larta se tregu dhe se çdo gjë tjetër.

Administratorja: Shoqëria nuk operon me fonde publike, por me fondet e saj private.

(r.m.)