Kompozitori Adrian Hila kërkohet nga policia lidhur me videot intime të publikuara në internet

Tiranë, 1 tetor 2026 – Policia e Tiranës e ka kërkuar kompozitorin Adrian Hila për ta marrë në pyetje në lidhje me publikimin në internet të disa videove intime, të cilat dyshohet se janë regjistruar prej tij ndërsa janë shpërndarë nga persona ende të paidentifikuar.

Sipas informacioneve publike, të mërkurën në mbrëmje Hila është kontaktuar nga një hetues i njësisë “C” të Policisë së Tiranës, i cili e ka ftuar të paraqitet në polici si person që ka dijeni për të dhënë deklaratë për rrethanat e ngjarjes.

Gjatë komunikimit me efektivin, Hila ka thënë se nuk mund të paraqitej për momentin, me arsyetim se ishte në gjendje të rënduar psikologjike pas publikimit të videove.

Pas refuzimit që të paraqitet në polici, një patrullë policore është dërguar në banesën e Hilës në Tiranë, me qëllim shoqërimin e tij në polici, por efektivët nuk e kanë gjetur asnjë person në banesë.

Sipas medieve në Tiranë, Hila ka thënë se ndodhet jashtë Tiranës dhe se do të paraqitet në polici sapo të kthehet.

Policia e Tiranës ka nisur hetimet për rrethanat e publikimit dhe shpërndarjes së materialeve intime, duke verifikuar disa pista dhe përgjegjësitë e mundshme penale. Në kuadër të hetimit janë marrë në konsideratë katër vepra penale.

Adrian Hila është në mesin e personave që po verifikohen për rolin që mund të kenë në këtë ngjarje.

Në video-regjistrimet e publikuara përmes rrjeteve sociale shihen pamje të marrëdhënieve intime të Hilës me disa këngëtare e artiste me të cilat ka bashkëpunuar ai. Tri prej tyre, të cilat janë identifikuara me emra e mbiemra, janë emra të njohur për publikun shqiptar. Të tjerat janë identifikuar vetëm me iniciale.

Deri më tash, asnjëra nga femrat e lidhura me videor intime nuk është deklaruar publikisht lidhur me rastin.

Sipas raportimeve të medieve në Tiranë, videot janë regjistruar në studion e Hilës. Vetë Hila ka pranuar se në ambientet e studios së tij, ku e kishte edhe një dhomë gjumi, kishte vënë kamera për arsye sigurie. Pas publikimit të videove në internet, ai ka deklaruar se kamera e ambientit të tij të punës është hakeruar nga persona ende të paidentifikuar.

(r.m.)

Comment

*