Kompozitori Thomas Simaku, së shpejti, një album të ri me “Ensemble Intercontemporain”

University of York Music Press (UYMP) pret me padurim publikimin e një albumi të ri nga Ensemble intercontemporain më 29 shtator 2023, me pesë vepra nga Thomas Simaku: Soliloquy VII, Catena II, Soliloquy VIII, Soliloquy IX dhe Catena III.

Cikli “Soliloquy” filloi jetën në vitin 1991 dhe që atëherë seriali është rritur duke përfshirë çdo familje instrumentale të orkestrës. “Objektivi i këtyre veprave është të thellohet dhe të qëmtojë karakteristikat ekspresive dhe teknike të secilit instrument, duke prodhuar njē muzikë shumë virtuoze, idiosinkratike”.

Publikimi i parë i albumit të Simakut nga Shtëpia Diskografike Britanike NMC “prezanton disa nga veprat më të fundit solo të kompozitorit, secila prej tyre arrin një thellësi shprehjeje përtej asaj që duket e mundur me një instrument të vetëm”.

Ansambli intercontemporain u themelua në vitin 1976 nga Pierre Boulez; muzikantët e ansamblit rezident në Filharmoninë e Parisit janë disa nga solistët më të vlerësuar në botë.

Vepra e parë e albumit Soliloquy VII për klarinetë dhe piano rezonante është interpretuar nga përkushtuesi i pjesës – Jérôme Comte. Ky regjistrim “shfaq shkathtësinë e pashembullt dhe gamën dinamike të instrumentit të tij; cilësitë ‘vokale’ të tingullit të tij të amplifikuar nga rezonanca e pianos”.

Catena II interpretohet nga pianisti Dimitri Vassilakis dhe përfaqëson "një udhëtim në ngjyrat spirale, gjestet dhe dinamikën e mundshme në piano". Perkusionisti Aurélien Gignoux interpreton Soliloquy VIII për marimba plus, në të cilin Simaku “e trajton marimbën sikur të ishte një orkestër me një gamë të madhe ngjyrash dhe një numër linjash individuale që ndërthuren vazhdimisht me njëra-tjetrën”.

Në kompozimin e tij Soliloquy IX për trompë dhe piano rezonante, Simaku përdor “momente delikate me surdinë, përkulje kërcënuese të tingullit dhe rezonanca kumbuese” duke e konceptuar pjesën e trompës si një “kanavacë rezonuese” të sjellë në jetë nga solisti Clément Saunier.

Disku përfundon me Catena III – Corona – reflektimin personal is kompozitorit mbi efektet e pandemisë Covid-19 përmes përdorimit të “figurave të trazuara të sinkopuara dhe momenteve të zymta, lirike”.