Komuna e Leposaviqit e merr menaxhimin e sallës së sporteve që menaxhohej nga sistemi i Serbisë

Prishtinë, 27 maj 2025 – Komuna e Leposaviqit e ka marrë nën kontroll sallën e sporteve në këtë qytet, e cila ka funksionuar në kuadër të sistemit pasralel të Serbisë. Zyrtarët e komunës kanë hyrë në sallë me asistencën e policisë.

Policia e Kosovës e rajonit të Veriut ka konfirmuar se Komuna e Leposaviqit ka kërkuar ndihmë për ta marrë në dorëzim sallën.

“Kemi ofruar ndihmë vetëm për udhëheqjen komunale për marrjen e sallës komunale në Leposaviq”, ka thënë zëvendës komandanti i Policisë së Kosovës në rajonin e Veriut, Veton Elshani, për portalin serb Kossev.

Nënkryetarja e komunës së Leposaviqit, Marina Bogojeviq, ka deklaruar se komuna e ka marrë vetëm menaxhimin e sallës, ndërsa “gjithçka tjetër mbetet siç ka qenë”.

“Ne nuk po e marrim sallën e sporteve, ne kemi përgjegjësi vetëm për objektin. Brenda sallës sportive nuk kemi asgjë. Aty mbeten po ata punëtorë, po ata trajnerë, po ata sportistë, të gjithë ata që duan. Gjithçka mbetet e njëjtë, vetëm menaxhmenti do të jetë i komunës”, ka thënë asjo për Kossev.

Bogojeviq ka thënë se salla e sporteve në Leposaviq deri tashti është menaxhuar nga “Organizata e Sporteve dhe Turizmit Leposaviq”, e cila është pjesë e sistemit të Serbisë.

Pas marrjes në dorëzim, nga objekti janë hequr flamujt e Serbisë dhe janë vendosur Flamuri i Kosovës dhe një tabelë e re me simbole shtetërore të Kosovës.

Drejtori i deritashëm i sallës, Marko Radosavleviq, ka thënë se zyrtarët e komunës së Leposaviqit kanë hyrë në ndërtesë për të bërë regjistrimin e inventarit dhe të dokumentacionit.

Ai ka thënë se kjo sallë është ndërtuar pas luftës në Kosovë, me mjete të Qeverisë së Serbisë, dhe se gjithë dokumentacioni është i sistemit të Serbisë.

Radosavleviq ka thënë se zyrtarët e komunës së Leposaviqit u kanë sugjeruar punëtorëve të sallës që të integrohen në sistemin e Kosovës dhe ta vazhdojnë punën. Ai ka thënë se punëtorët e sallës janë paralajmëruar se prej sot do të mund të punojnë “vetëm me institucionet e Kosovës”.

Lista Serbe, partia më e madhe e serbëve në Kosovë që kontrollohet nga Beogradi, ka thënë se marrja e kontrollit mbi sallën sportive në Leposaviq është “shkelje e rëndë të jetës së përditshme të qytetarëve, veçanërisht të të rinjve, të cilët po mbeten pa hapësira për aktivitete sportive, shoqërim dhe zhvillim të shëndetshëm psikofizik”.

Sipas Listës Serbe, Kryeministri në detyrë i Kosovës, Albin Kurti, po përpiqet të krijojë “një realitet të ri”, në komunat që kjo parti i quan “komuna serbe”.

“Dëshirojmë ta bëjmë të qartë se nuk pajtohemi me veprimet e njëanshme dhe të dhunshme të regjimit në Prishtinë dhe nuk do të pajtohemi me ‘realitetin e ri’ që Kurti po përpiqet të krijojë në komunat serbe përmes forcës dhe armëve”, thuhet në reagimin e Listës Serbe.

Në reagimin e kësaj partie thuhet se salla e sporteve në Leposaviq u mor nën kontroll nga komuna, “me mbështetjen e disa serbëve që i shërbejnë interesave të [kryeministrit në detyrë të Kosovës] Albin Kurtit”.

Lidhur me këtë rast ka reaguar edhe Zyra për Kosovën në Qeverinë e Serbisë. Sipas saj, salla e sporteve në Leposaviq është ndërtuar me mjete të Qeverisë së Serbisë dhe se atë “e kanë përdorur qindra fëmijë për sport shkollor dhe aktivitete jashtëshkollore, rekreative, klube sportive, si dhe Fakulteti i Edukimit Fizik”.

Zyra për Kosovën në Qeverinë e Serbisë ka përsëritur tha se Qeveria e Kosovës, përmes veprimeve të tilla, po e bën të pamundur jetën e serbëve në Kosovë, “me qëllim që ata të detyrohen të shpërngulen”.

Bashkimi Evropian ka thënë se veprimet e autoriteteve kosovare rrezikojnë të rrisin tensionet në terren dhe ndikojnë negativisht në jetën e përditshme të komuniteteve lokale si dhe në imazhin ndërkombëtar të Kosovës.

(r.m.)

Comment

*