Komuna e Vushtrisë nderon aktivistin dhe biznesmenin shqiptaro-amerikan Harry Bajraktari

Gjatë vizitës së tij të fundit në Kosovë, Harry Bajraktari qendroi edhe në Komunën e Vushtrisë, për të nderuar dëshmorin më të fundit të Kosovës, oficerin e policisë Afrim Bunjaku dhe për t’i shprehur ngushëllimet familjes së tij.

Me këtë rast, ai vizitoi Selinë e Komunës ku u prit nga Kryetari i Komunës Ferit Idrizi, Kryetarja e Kuvendit të Komunës së Vushtrisë, Melihate Basholli Latifi, e drejtues të tjerë lokalë.

Harry Bajraktari shoqërohej në këtë vizitë nga një numër miqsh dhe bashkëpunëtorësh, ndër të cilët Ilaz Ramajli, kryetar i Kuvendit të Kosovës së vitet e 1990-a dhe një nga faktorët e Kuvendit të Kaçanikut, Ambasador Bekim Sejdiu, ish-Anëtar i Gjykatës Kushtetuese (dikur Përfaqësues i Kosovës në Neë York e Turqi), biznesmenët Shaip e Seth Mikullovci dhe Ylber Kuraja si dhe një nga djemtë e tij, Florim Bajraktari.

Biseda u përqendrua në zhvillimin që ka shënuar Vushtria në vitet e fundit dhe potencialin që ka si komunë.

Drejtuesit e Komunës i shprehën vlerësimin e tyre Harry Bajraktarit për punën e tij për shumë dekada në Shtetet e Bashkuara në shërbim të Kosovës dhe të kombit shqiptar. Për këtë e nderuan edhe me një Mirënjohje zyrtare, në emër të Komunës së Vushtrisë me kushtimin “Z. Harry Bajraktari dhe Familjes Bajraktari – Për kontributin e dhënë për Kosovën përpara, gjatë, dhe pas luftës”.

Harry Bajraktari është një aktivist dhe biznesmen i njohur shqiptaro-amerikan në New York, pjesëtar e udhëheqës i përpjekjeve që nga vitet 1980 për lobim në shërbim të Çështjes Shqiptare në Washington. Në vitin 1991 themeloi gazetën “Illyria”, botues i të cilës ishte deri në vitin 1998. Ai ka qenë themelues dhe nënkryetar i Këshillit Kombëtar Shqiptaro Amerikan (NAAC) dhe pjesëmarrës e anëtar i shumë organizimeve të komunitetit shqiptar në Amerikë. Në veçanti ka qenë mik dhe bashkëpunëtor i afër i kongresistit të shquar Eliot Engel, me të cilin kanë punuar në lobimin për çlirimin dhe pavarësimin e Kosovës.

“Ishte një kënaqësi që vizitova Komunën e Vushtrisë dhe mësova për përparimin dhe punën e mirë që po bëhet”, tha Harry Bajraktari, në një koment për gazetën “Illyria”, pas kthimit në SHBA. “E falenderoj kryetarin e Komunës Fadil Idrizi dhe Kryetaren e Kuvendit Melihate Basholli Latifi, për respektin dhe mikpritjen që treguan ndaj grupit tonë dhe ndaj familjes sime”.   (Illyria)

Në fotografinë lart, Kryetari i Komunës së Vushtrisë, Ferit Idrizi duke i dorëzuar veprimtarit Harry Bajraktari Mirënjohjen në emër të Komunës.