Komunitetet joserbe i kërkojnë Gjykatës Kushtetuese ta hedhë poshtë ankesën e Listës Serbe

Prishtinë, 11 shtator 2025 – Grupi i deputetëve të komuniteteve joshumicë joserbe në Kosovë i ka kërkuar Gjykatës Kushtetuese që të mos e marrë për bazë ankesën e Listës Serbe lidhur me çështjen e nënkryetarit të Kuvendit nga radhët e komunitetit serb.

“Kemi kërkuar nga Kushtetuesja që të mos marrë për bazë ankesën e Listës Serbe sepse kjo do të prishte balancën e respektimit të të drejtave të të gjitha komuniteteve joshumicë dhe përfaqësimit në institucionet e vendit”, tha Elbert Krasniqi, përfaqësues i këtij grupi, në një konferencë për media.

“Ne vlerësojmë se Kuvendi duhet të vazhdojë punën dhe asnjë komunitet nuk mund të shfrytëzojë ulëset e garantuara për të shkaktojë bllokadë, aq më pak Lista Serbe, e cila njërën këmbë e ka në Beograd e tjetrën në Prishtinë”, tha Krasniqi.

Krasniqi tha se nuk beson se Gjykata Kushtetuese do të kontestojë zgjedhjen e Emilija Rexhepit nënkryetare nga komunitetet joshumicë. Ai tha se votimi ndaras për zgjedhjen e Rexhepit është bërë në përputhje me Rregulloren e Kuvendit dhe me Kushtetutën e Kosovës.

Krasniqi, i cili vjen nga komuniteti egjiptian, tha se në Kosovë përfaqësohen të gjitha komunitetet joshumicë dhe mbrohen të drejtat e secilit komunitet, por asnjë komunitet nuk ka të drejtën e vetos që do të bllokonte institucionet e shtetit.

“janë të drejta që na mundësojnë zhvillim të përbashkët dhe këto të drejta nuk duhet të përdoren si veto që mundësojnë bllokadë të njëanshme. Pikërisht për këtë arsye ne i jemi drejtuar Gjykatës Kushtetuese me komentet tona lidhur me ankesën e Listës Serbe për të kumtuar se procedurat e zhvilluara deri më tani kanë qenë të rregullta dhe gëzojnë legjitimitet të plotë demokratik”, theksoi ai.

Krasniqi tha se Lista Serbe po zynon të krijojë në Kosovë një situate të njëjtë me atë në Bosnjë e Hercegovinë, ku e drejta e një pakice kërcënon të bllokojë funksionimin e shtetit.

“Kjo situatë e cila sot tenton të imponohet nga Lista Serbe është e njëjta me Bosnje – Hercegovinë, ku e drejta është tentuar të shndërrohet në bllokadë. Përvoja atje është dëshmi e duhur se çfarë pasojash të rënda sjellë një sistem ku pakica parlamentare mban në dorë të drejtën e vetos dhe bllokon funksionimin e shtetit. Gjykata Kushtetuese atje por edhe jurisprudenca kushtetuese, në lidhje me parimin e barazisë kolektive të komuniteteve, ka theksuar se asnjë komunitet nuk ka shumicë kushtetuese mbi tjetrin, por ka barazi. Një gjë e tillë nënkupton në rastin tonë se ulëset e rezervuara garantojnë përfaqësim e jo dominim”, tha ai.

Gjykata Kushtetuese e Kosovës vendosi masë të përkohshme ndaj Kuvendit të Kosovës pas kërkesës së Listës Serbe, e cila e konsideron jokushtetues votimin ndaras për nënkryetarë të Kuvendit nga komunitetet joshumicë. Kjo masë do të jetë në fuqi deri më 30 shtator. Deri atëherë pritet të vlerësohen pretendimet e Listës Serbe.

Gjykata Kushtetuese, në vendimin e saj për masë të përkohshme, u ka mundësuar palëve të përfshira në këtë lëndë, përfshirë edhe deputetët, të dorëzojnë komente dhe dokumente relevante deri më 9 shtator.

Presidentja e Kosovës, Vjosa Osmani, i ka dërguar komentet e saj lidhur me procesin e konstituimit të Kuvendit. Ajo tha se funksionalizimi i Kuvendit nuk duhet të jetë peng i mungesës së një nënkryetari dhe e akuzoi Listën Serbe se po synon ta bllokojë procesin e formimit të institucioneve të vendit.

Edhe Lëvizja Vetëvendosje, partia më e madhe në Kuvend, i ka kërkuar Gjykatës Kushtetuese që të mos e pranojë çështjen e dërguar nga Lista Serbe.

Lista Serbe, e cila i ka 9 nga 10 vendet e rezervuara për serbët në Kuvend, ngul këmbë që nënkryetar nga komuniteti ser btë zgjidhet vetëm Sllavko Simiqi, ndonëse ai nuk i fitoi votat e nevojshme në tri votime. Kjo parti nuk pranoi të propozonte për nënkryetar një deputet tjetër të saj, prandaj Kryetari i Kuvendit Dimal Basha, vendosi të nxirrte me short një deputet tjetër nga komuniteti serb, sië parashihet në Rregulloren e punës së Kuvendit. Përveç të gjithë deputetëve të Listës Serbe, për nënkryetar u propozua edhe Nenad Rashiqi nga partia serbe Për Liri, Drejtësi dhe Mbijetesë, por as ai nuk i mori votat e nevojshme.

Në këtë situatë, duke vlerësuar se Kryesia e Kuvendit tashmë e ka kuorumin e nevojshëm për marrjen e vendimeve, Kryeparlamentari Basha e shpalli të përfunduar konstituimin e Kuvendit.

(r.m.)