Tiranë, 19 dhjetor 2023 – Dhjetra aktivistë dhe banorë të komunitetit pranë luginës së Shushicës protestuan këtë fundjavër për të katërtën herë rradhazi kundër projektit për devijimin e ujit nga burimi i Lëpushës, projekt i cili parashikon ndërtimin e ujësjellësit të Himarës.
Banorët e fshatrave të prekur nga ky projekt shprehen të shqetësuar për dëmet në zonë, dhe pasojat afatgjata të këtij ndërtimi.
“Me devijimin e ujit, do të paralizohet ekonomia e 30 fshatrave, e cila mbështetet në bujqësi dhe blegtori. E vetmja rrugë është braktisja e zonës nga njerëzit”, u shpreh ish-kryeplaku i fshatit Kuç, Asllan Lala.
Projekti i planifikuar në luginën e Shushicës, pjesë e Parkut Kombëtar të Lumit Vjosë, prek 35 fshatra të cilët nuk janë përfshirë në konsultime deri më sot.
“Uji që mendohet të shfrytëzohet, vë në pikëpyetje jetën dhe ekzistencën e rreth 12,500 banorëve, pesë mijë bagëtive, katër mijë bletëve e shumë lloje të tjera kafshësh e bimësh të egra”, tha drejtori ekzekutiv i Eco Albania, Olsi Nika.
“Duke qenë se lumi i Shushicës rrjedh kryesisht në një formacion gjeologjik karstik, ku është tipike fundosja e ujit nën tokë, çdo devijim i ujit do të ketë një ndikim të rëndësishëm në lidhjen gjatësore të ekosistemit lumor”, shtoi Nika, mbi pasojat e kësaj ndërhyrje.
Banorët kanë organizuar protesta të vazhdueshme, si edhe kanë mbledhur firma për peticione të cilat i janë dorëzuar institucioneve vendore, por aktualisht akoma pa një rezultat.
“Ne si banorë e kemi mirëpritur shpalljen e parkut kombëtar dhe presim që kjo të na sjellë zhvillimin e turizmit në zonë, por të marrësh ujin e lumit që në burim është hipokrizi që ne nuk e pranojmë”, u shpreh një prëj banorëvë të fshatit Brataj, Sotir Zahoaliaj.
Sipas ekspertit dhe aktivistit mjedisor Olsi Nika, projekti për ndërtimin e ujësjellësit në Bashkinë Himarë është një ndërhyrje e drejtpërdrejtë dhe e pakthyeshme në Parkun Kombëtar të Lumit të Egër Vjosa, i cili u shpall si zonë e mbrojtur në muajin Mars 2023.
(Reporter.al)