Konfindustria kërkon të publikohet kontrata për Portin e Durrësit

Tiranë, 15 gusht 2022 – Konfindustria, duke u mbështetur në rëndësinë e madhe ekonomike dhe gjeostrategjike në afatgjatë të Portit Tregëtar të Durrësit, vlerëson se është e domosdoshme që marrëveshja koncesionare e privatizimit dhe ndryshimit të qëllimit të shërbimit të tij të bëhet e njohur për publikun dhe të kalojë për miratim në Kuvendin e Shqipërisë.

Gjithashtu, në kuptimin e proceseve integruese dhe detyrimeve euroatlantike të sigurisë, pëlqimi zyrtari BE dhe SHBA është i nevojshëm në rastin në fjalë.

Konfindustria vlerëson me shqetësim se duhet të shmangim me çdo kusht përsëritjen e një afere të re të ngjashme në shumë pika me rastin e shumëpërfolur të “djegësve/incineratorëve”, por në përmasa dhe pasoja shumë herë më të rënda.

Konfindustria vlerëson se deri më tani ka paqartësi dhe mungesë të skajshme informacioni publik për konçesionin e Portit të Durrësit. Është e domosdoshme të sqarohet para së gjithash, nëse njihen pronarët fundorë të kompanisë partnere të koncesionit si dhe vlera, burimi, mënyra, koha dhe garancitë ligjore të kryerjes së investimit të parashikuar. Do të ishte krejtësisht e papranueshme dhe me pasoja të paparishikueshme ekonomike, të luftës kundër pastrimit të parave dhe sigurisë, nëse kompania partnere do të jetë e regjistruar në parajsa fiskale. Shqipëria nën trysninë e Këshillit të Europës ka detyrimin të bëjë të ditur pronarët fundorë të kompanive “guackë”.

Administrator i Konfindustrias, Gjergj Buxhuku në reagimin e tij vlerëson se shteti shqiptar kapitalizon mbi 1.5 milion m2 sipërfaqe trualli të Portit të Durrësit me vlerë shumë të lartë, që do të jetë automatikisht pronë e koncesionarit.

Dhe një pasuri e tillë e çmuar nuk do të jetë më pronë e shtetit shqiptar, por është e privatizuar “de jure”, që në çastin e derdhjes si kontribut në kapitalin e konçesionarit në të cilin administrimin e bën partneri privat që zotëron 70% të aksioneve. Në rast konflikti potencial, thekson Konfindustria, zgjidhja mund të kryhet vetëm në Gjykatat Ndërkombëtare.

Konfindustria kërkon të bëhet e njohur se cilat do të jenë përfitimet e ekonomisë kombëtare në afatgjatë të shprehuara në vlera financiare nga një koncesion i tillë, si dhe të dhënat ligjore, teknike, ekonomike, financiare, kohën e ndërtimit dhe subjektet që do të kenë monopolin e shërbimeve portuale në portin e ri të Porto Romanos

Më 10 gusht 2022 u firmos Memorandimi që i hap rrugë ligjit për investimin 2 miliardë $ të Portit Turistik në Durrës

(Oranews.tv)