Konfliikti (paqësor) i pambaruar me Serbinë, pasojat dhe komplikimet

Mehmet PRISHTINA

Gabimi më i madh që është toleruar të ndodhë në dialogun me Serbinë nga ana e faktorit politik të Kosovës, ka qenë moskëmbëngulja që në tryezën e dialogut në emër të serbëve lokalë të flasin vet përfaqësuesit e tyre, të zgjedhur në mënyrë demokratike, e jo Beogradi. A mund të ndodhë që EULEX-i dhe KFOR-i, ngjashëm me atë që ndodhi në Sllavoninë Lindore nga viti 1995 deri në 1998, të marrë në dorë për një farë kohe administrimin e veriut të Kosovës? Por, si mund të parandalohet kjo?

 

Serbia deklarativisht nuk e njeh shtetin e Kosovës, por një ditë ajo dërgoi disa komandos të maskuar dhe qyqarë në “territor të huaj “ ku kidnapoi tre policë kosovarë. Nëse Kosova nuk është shtet (ose pjesë e Serbisë), siç thotë Beogradi, atëherë si ka mundësi që ajo të rrëmbejë “qytetarët e saj” në vend të vet?!  Si duket, në vendimmarrjen e Vuçiqit veprojnë disa demonë të padukshëm që ia ngatërrojnë planet, duke e paraqitur atë tragjikomik para botës.

Beogradi zyrtar gjatë gjithë kohës thotë se veriu i Kosovës duhet të kontrollohet politikisht vetëm nga “Lista Serbe” dhe nga askush tjetër, sepse serbëve të Kosovës nuk iu lejohet pluralizmi politik,   por në anën tjetër Presidenti Vuçiq në daljet e tij publike ka luajtur rolin e “zëdhënësit” të kësaj force politike, duke paralajmëruar hapa konkretë që duhet të ndjekin serbët e Kosovës. Ndër ata hapa, Vuçiqi përmendi edhe Vidovdanin (28 qershor) si ditë e shenjtë ku serbët lokalë do të marrin një “vendim të rëndësishëm”.

Gabimi më i madh që është toleruar të ndodhë në dialogun me Serbinë nga ana e faktorit politik të Kosovës, ka qenë moskëmbëngulja që në tryezën e dialogut në emër të serbëve lokalë të flasin vet përfaqësuesit e tyre, të zgjedhur në mënyrë demokratike, e jo Beogradi. Përfshirja e Serbisë në dialog, si një shtet i huaj, e ka defaktorizuar elementin serb të Kosovës, por në anën tjetër ia ka shtuar gjasat institucioneve të Kosovës për të qenë të hendikepuara në raport me zgjidhjen e problemeve reale që i kanë serbët në veri të vendit dhe në pjesët tjera. Në këtë mënyrë, Serbia para botës është paraqitur si një palë “konstruktive” që gjoja po iu ndihmon serbëve “të lënë pas dore” në Kosovë, ndërkohë që gjatë gjithë kohës regjimi i  Beogradit i ka përdorur serbët lokalë si instrument manipulativ për të zgjëruar të ashtuqaujturën “botë serbe”.

Këtë manipulim të madh të politikës serbe, fare pak e kanë trajtuar institutet, mediat, intelektualët, analistët e Kosovës  dhe lufta e brendshme politike (për pushtet), si duket ka qenë kryekauza e vetme e mendimit dhe veprimit alternativ në vendin tonë. Kanë munguar analiza të detajuara në gjuhë të huaja nga vetë autorët shqiptarë të Kosovës, të cilët do ta trajtonin raportin në mes të Kosovës dhe Serbisë, jo si çështje të pazgjidhura të serbëve lokal, por si një konflikt i pambaruar, ku Beogradi vazhdon të jetë i përqëndruar me aksionet destabilizuese në vendin tonë, me të vetmin synim kryesor: shtetin e Kosovës ta paraqes sa më jofunksional. Edhe insistimi për krijimin e Asociacionit, shkon në këtë linjë logjike.

Vizita e fundit e Kryeminstrit Kurti në Vatikan dhe audienca te Papa Françesku, për çka kontribuoi  fuqishëm lobi shqiptar i biznesmenëve dhe intelektualëve në Itali, shpjegon më së miri domosdonë e ndërmarrjes së hapave më dinamik nga diplomacia jonë e cila do t’ia zhvishte ujkut të dikurshëm në Beograd  lëkurën e qengjit që po mundohen t’ia veshin disa diplomat në Bruksel dhe Washington.

Por kjo qasje aspak parimore e diplomacisë Perendimore, po kritikohet hapur nga mediat, deputetë dhe intelektualë të shumtë në Evropë dhe Amerikë.

“Zyrtarisht thuhet se SHBA-të duan të përpiqen ta çlirojnë Serbinë nga përqafimi rus dhe për këtë e mbështesin Vuçiqin dhe regjimin e tij. Por kjo padyshim nuk funksionon fare. (…) Politika qetësuese e Perëndimit ndaj Serbisë dhe, në të njëjtën kohë, presioni në rritje ndaj qeverisë së Kosovës – BE-ja madje dëshiron të vendosë masa kundër kabinetit të Kurtit – deri më tani nuk e ka afruar Serbinë me Perëndimin. Dhe ka nga ata që besojnë se është një përmbysje e plotë e politikës amerikane për diçka tjetër: përkatësisht për ndarjen e Kosovës”, shkruan prestigjiza e Vjenës, “Der Standard”.

Madje me një qasje më të detajuar mbi pasqyrën e shtrembëruar që ka kohët e fundit Perendimi ndaj Kosovës, vjen edhe eksperti gjerman për Kosovën, Konrad Clewing, i cili në një intervistë me Deutsche Wellen, në mes tjerash, vuri në dukej se tensionet aktuale janë shqetësuese, pasi Vuçiqi tani po e ripërdor Kosovën për të zbutur ose për të anashkaluar protestat e brendshme kundër tij. Shqetësues është edhe fakti që Perëndimi kohët e fundit ka  mbajtur qëndrim të njëanshëm, në anën e Serbisë, edhe pse forcat e NATO-s në veri të Kosovës (konkretisht në Zveçan) nuk u sulmuan vetëm nga përfaqësuesit e popullsisë lokale, por – edhe nga agjentët e shërbimit sekret serb dhe policia. Perëndimi heshti për një kohë për arrestimin e tre policëve kosovarë dhe deri tani nuk e ka dënuar ashpër këtë veprim, nënvizon Konrad Clewing.

Shefi i  diplomacisë evropiane Josef Borrel gjatë takimit që ka pasur me Kryeminustrin Kurti,  ka këmbëngulur edhe një herë në deeskalim të situatës, që nënkupton: tërheqja e policisë nga objektet komunale në veri, shpallja e zgjedhjeve të reja, si dhe largimi i Kryetarëve nga ndërtesat komunale.

Kurti nga ana e tij u zotua se do të përmbush vetëm njërin nga tre kushte e mësipërme: organizimin e zgjedhjeve të parakoshhshme në katër komunat në veri të vendit.

“Për bindjen time deeskalimi duhet të nënkuptojë largimin e ekstremistëve të dhunshëm, të grupeve kriminale e ilegale, që menjëherë do të përcillej me zvogëlimin e pranisë së Policisë së Kosovës në ndërtesat e komunave. Ndërsa sa i përket zgjidhjes më të qëndrueshme, e kuptojmë se ka rëndësi për zgjedhje të parakohshme me proces që paraprihet nga sundimi i ligjit, kampanjë e hapur dhe fer dhe zgjedhje të lira dhe demokratike. S’mund të them se situata është e sigurt për shkak të takimeve bilaterale dhe kemi paqe të qëndrueshme, por nga optimizmi i ndërmjetësit ka shenja që ditët përpara janë më të mira se ato që kemi lënë pas, por mbetet të shihet. Jam i hendikepuar sepse s’ka pasur takim direkt”, ka thënë Kurti para gazetarëve, duke shtuar se në takim me Borrellin ka shpalosur dokumente që tregojnë se ku janë rrëmbyer tre policët e Kosovës brenda territorit të vendit si dhe ka kërkuar reagim të ndërkombëtarëve.

Arsyeja pse institohet në arritjen e marrëveshjes përfundimtare Kosovë- Serbin, nuk ndërlidhet vetëm me këto dy vende, por parasegjitash me kontekstin gjeopolitik të një krize, e cila mund të shkaktoj destabilizim rajonal. Për rrjedhojë, Shtëpia e Bardhë njoftoi se presidenti Joe Biden ka vendosur ta zgjasë emergjencën kombëtare të SHBA-së në lidhje me Ballkanin Perëndimor të paktën deri më 26 qershor të vitit 2024.

“Ballkani Perëndimor përbën kërcënim për sigurinë kombëtare të SHBA-ve”, është gjykimi i presidentit amerikan, Joe Biden, i cili mbi bazën e kësaj e ka vazhduar Urdhrin Ekzekutiv për emergjencën kombëtare në lidhje me Ballkanin Perëndimor në përputhje me Aktin Ndërkombëtar të Fuqive Ekonomike Emergjente për t’u marrë me kërcënimin e pazakontë dhe të jashtëzakonshëm ndaj sigurisë kombëtare dhe politikës së jashtme të Shteteve të Bashkuara.

Nga ana e tij edhe Sekretari i Përgjithshëm i NATO-s, Jens Stoltenberg, tha në fillim të javës se NATO-ja mund të ndërmarrë hapa të tjerë, nëse është e nevojshme. Shumë kush këtë deklaratë e lexoi si një formulë që NATO mund të imponoj në veri të Kosovës, duke aluduar  në krijimin e të ashtuquajturës “Republika e KFOR-it”, term ky i lancuar (dhe aspak i menduar mirë) për herë të parë nga kryeministri shqiptar, Edi Rama.

Por vëzhgues dhe ekspertë ndërkombëtarë që meren me sigurinë në Ballkan, e kanë përjashtuar një opsion të tillë, sepse për NATO-n ky mund të jetë një mision që është i dënuar të dështojë që në start. Me fjalë të tjera përjashtohet çfarë do lloj mundësie e vendosjes së ndonjë protektorati ushtarak-ndërkombëtar në veri të vendit, ndonëse ka zëra që thonë se prania ndërkombëtare në veri të Kosovës do të rritej, nëse EULEX-i dhe KFOR-i – ngjashëm me atë që ndodhi në Sllavoninë Lindore nga viti 1995 deri në 1998 –  të marrë në dorë për një farë kohe administrimin e veriut të Kosovës. Kjo do t’i jepte fund vakumit të pushtetit në veri të Kosovës dhe nuk do të lejonte që Serbia ta mbushte atë dhe të zhvillonte më tej ambicjet e saj për destabilizimin e shtetit të Kosovës. Por kjo mund të ndodhë vetëm në rast se shterren të gjitha mekanizmat demokratike për përfshierjen e serbëve në menaxhimin e pushtetit vendor dhe kur Qeveria e Kosovës nuk do të mund të fillonte edhe një acarim të ri me BE-në dhe Washingtonin për një kauzë të shpifur që Beogradi qëllimisht e përdor për efekte të politikave të veta destabilizuese.

Prandaj, në vend të acarimeve dhe keqkuptimeve të panevojshme, faktori politik i Kosovës (pushtet dhe opozitë)  duhet të përqëndrohet (përmes një Rezolute) tash e tutje në tre gjëra kruciale: në angazhimin maksimal për deeskalim të situatës në veri të vendit, në krijimin e parakusheteve për një dialog substancial me serbët lokal, përfshi edhe gjetjen e modaliteteve për Asociacionin në përputhje me Kushtetutën dhe ligjet e Kosovës si dhe rikthimin e besimit dhe bashkëpunimit të sinqertë me SHBA-të, NATO-n dhe BE-në.

Prishtinë, 23 qershor, 2023