Preshevë, 26 maj 2026 – Anëtarët e Dhomës së Përfaqësuesve të Kongresit amerikan, Keith Self dhe Suhas Subramanyam po qëndrojnë sot në Preshevë, ku po takohen me përfaqësues të pushtetit lokal, të partive politike shqiptare dhe të Këshillit Kombëtar Shqiptar.
Vizita e kongresistëve Self e Subramaniam në Luginë të Preshevës, të banuar me shumicë shqiptare, fokusohet në pozitën e shqiptarëve në këtë rajon,
Në fillim të këtij viti, Komiteti për Politikë të Jashtme i Dhomës së Përfaqësuesve të Kongresit amerikan e miratoi një projektligj që i kërkonte sekretarit amerikan të Shtetit të përgatiste një raport gjithëpërfshirës për pozitën e pakicave në Serbi, me fokus të veçantë në pozitën e shqiptarëve në Luginën e Preshevës.
Projektligji, i cili është iniciuar nga kongresisti Keith Self, parashikon shqyrtimin e disa çështjeve që lidhen me pozitën e pakicës shqiptare në Serbi, përfshirë përfshirjen e shqiptarëve në administrate dhe në institucionet e kompanitë publike, pasivizimin e adresave, kufizimet në përdorimin e gjuhës shqipe në institucionet publike, mosnjohjen e diplomave të lëshuara në Kosova dhe mungesën e teksteve shkollore në gjuhën shqipe.
Këto çështje janë përmendur edhe në raportin e Departamentit amerikan të Shtetit për të drejtat e njeriut në Serbi, për vitin 2023.
Kryetarja e Komunës së Preshevës, Ardita Sinani, në një prononcim për Radion Evropa e Lirë, e vlerësoi vizitën e kongresistëve amerikanë si një sinjal të rëndësishëm të vëmendjes ndërkombëtare ndaj pozitës së shqiptarëve në Luginën e Preshevës.
Të hënën kongresistët Self e Subramaniam qëndruan në Beograd, ku u takuan me sekretaren shtetërore të Ministrisë së Punëve të Jashtme të Serbisë, Nevena Jovanoviq. Sipas njoftimit të kësaj ministrie, në takim u diskutua për marrëdhëniet dypalëshe mes Serbisë dhe SHBA-së, për situatën në rajon dhe për pozitën e komunitetit serb në Kosovë.
Në agjendën e vizitës së kongresistëve Self e Subramaniam ishte edhe një takim me kryetaren e Kuvendit të Serbisë, Ana Bërnabiq, por ai u anulua. As Kuvendi i Serbisë dhe as Ambasada e SHBA-së në Beograd nuk kanë shpjeguar arsyet e anulimit të këtij takimi.
Kongresistët Self e Subramaniam do ta vazhdojnë turneun e tyre në Ballkan me një vizitë në Kosovë. Të enjten ata do të takohen me ushtruesen e detyrës së presidentit të Kosovës, Albulena Haxhiu, dhe me kryeministrin në detyrë, Albin Kurti.
Më 24 maj, kongresistët amerikanë e kanë vizituar edhe Sarajevën, ku janë takuar me përfaqësues të Presidencës së Bosnjës e Hercegovinës. Ata kanë theksuar përkushtimin e SHBA-së ndaj Marrëveshjes së Paqes së Dejtonit dhe ndaj integritetit territorial të Bosnjës e Hercegovinës.
(r.m.)