Uashington, 4 shkurt 2026 – Deputeti shqiptar në Kuvendin e Serbisë, Shaip Kamberi, ka bërë të ditur se sot, në Uashington, Kongresisti amerikan Keith Self ia ka dorëzuar personalisht projektligjin H.R. 6411 – Presheva Valley Discrimination Assessment Act, akt ky që për herë të parë e vendos në agjendën e Kongresit të Shteteve të Bashkuara të Amerikës çështjen e diskriminimit sistematik ndaj shqiptarëve në Serbi.
Kamberi, në një postim në Facebook, ka shkruar se ky akt nuk është simbolik, por një instrument zyrtar të shtetit amerikan, i cili synon vlerësimin, dokumentimin dhe ekspozimin e formave të ndryshme të diskriminimit të shqiptarëve në Luginë të Preshevës.
“Është një instrument shtetëror amerikan për të vlerësuar, dokumentuar dhe ekspozuar: pasivizimin administrativ, përjashtimin nga institucionet publike, shtypjen e gjuhës, diskriminimin në arsim dhe margjinalizimin ekonomik të shqiptarëve të Luginës së Preshevës”, ka shkruar Kamberi.
“Për herë të parë, kjo padrejtësi nuk mbetet më në periferi të diplomacisë. Futet në zemrën e politikës së SHBA, jo si protokoll, por si detyrim moral”, ka theksuar ai.
Kamberi e ka falënderuar kongresistin Keith Self në emër të shqiptarëve të Luginës së Preshevës.
“Në një botë ku shumë heshtin nga interesi, Kongresisti Keith Self zgjodhi të flasë nga parimi,” ka theksuar ai.
Projektligji H.R. 6411 pritet të shërbejë si bazë për raportime zyrtare dhe vlerësime institucionale mbi trajtimin e shqiptarëve në Serbi, duke rritur vëmendjen dhe përgjegjësinë ndërkombëtare ndaj kësaj çështjeje.
(r.m.)