Kongresisti Torres: Kosova – një histori suksesi dhe një aleat i palëkundur i SHBA-së

Nju Jork, 26 tetor 2023 – Kongresisti amerikan, Ritchie Torres, ka thënë se Kosova është një histori suksesi e demokracisë në Ballkanin Perëndimor dhe një aleat i palëkundur i Shteteve të Bashkuara të Amerikës.

Torres i i ka bërë këto komente pas takimit që ka pasur me ministren e Punëve të Jashtme të Kosovës, Donika Gërvalla, ku ka qenë temë qendrore sulmi terrorist serb në pjesën veriore të Kosovës.

“Si kongresmen nga Bronksi, i cili është shtëpia e mijëra shqiptarëve nga Kosova, pata një takim produktiv me ministren e Jashtme Gërvalla-Schwarz për agresionin nga Serbia me të cilin Kosova po përballet në veri gjithnjë e më shumë.

Unë jam me Kosovën, e cila është një histori suksesi e demokracisë në Ballkanin Perëndimor dhe një aleat i palëkundur i Shteteve të Bashkuara”, ka shkruar Torres në Twitter.

Ministrja Gërvalla ka treguar se gjatë takimit me Kongresmenin Torres është theksuar nevoja për veprim kundër regjimit të Vuçiqit, për të parandaluar përshkallëzimin e mëtejshëm të situatës në pjesën veriore të Kosovës.

“Takim i shkëlqyer me Kongresmenin e Shteteve të Bashkuara RitchieTorres, mbështetësin e palëkundur të Kosovës. U trajtuan zhvillimet rajonale, agresioni i Serbisë ndaj Kosovës dhe u theksua nevoja për veprim kundër regjimit të Vuçiqit për të parandaluar përshkallëzimin e mëtejshëm. Biseduam edhe për aspiratat tona për anëtarësim në NATO”, ka shkruar ajo.

(r.m.)