AARC falenderon në veçanti botuesin e gazetës “Illyria”, Vehbi Bajrami, për rolin personal në zgjerimin e Kaukusit tonë në Kongesin Amerikan
Jemi krenarë të mirëpresim Kongresisten Nicole Malliotakis në Kaukusin për Çështjet Shqiptare, pas një takimi produktiv të zhvilluar së fundmi me Këshillin e Marrëdhënieve Shqiptaro-Amerikane (AARC).
Kongresistja Malliotakis e bëri publike vendimin e saj për t’iu bashkuar kaukusit dhe për të bashkëpunuar ngushtë me AARC gjatë një pikniku të komunitetit shqiptaro-amerikan, ku ishte e shoqëruar nga Kryetari i AARC-së, Eli Rusi, si dhe anëtarët e Bordit Vehbi Bajrami dhe Agim Isufi. (Në fotografinë lart). Pjesëmarrja dhe angazhimi i saj theksojnë hovin që ka marrë forcimi i lidhjeve ndërmjet Kongresit dhe komunitetit shqiptaro-amerikan.
Një nga prioritetet kryesore të AARC-së ka qenë riaktivizimi, organizimi dhe fuqizimi i Kaukusit për Çështjet Shqiptare në Kongres, me qëllim forcimin e marrëdhënieve ndërmjet Shteteve të Bashkuara dhe shqiptarëve në mbarë Ballkanin dhe diasporën. Ne besojmë se një kaukus i fortë dhe aktiv mund të luajë një rol të rëndësishëm në avancimin e çështjeve me interes të përbashkët dhe në garantimin që zëri i shqiptaro-amerikanëve të vazhdojë të dëgjohet në Washington.
Sot, kaukusi numëron 20 anëtarë dhe vazhdon të zgjerohet. Ky progres është bërë i mundur falë përpjekjeve të përbashkëta të liderëve dhe organizatave të përkushtuara të komunitetit në mbarë vendin—në Nju Jork, Teksas, Illinois dhe Miçigan, ndër shumë të tjera.
Një vlerësim i veçantë i takon anëtarit të Bordit të AARC-së, Vehbi Bajrami, botues i gazetës “Illyria” për përpjekjet e tij të palodhura që kanë qenë vendimtare në zgjerimin e kaukusit. Përmes kontakteve dhe angazhimit të tij personal, ai siguroi anëtarësimin e Kongresistëve Seth Moulton dhe Joe Morelle, si dhe të Kongresistes Grace Meng, duke forcuar kaukusin dhe duke zgjeruar karakterin e tij dypartiak.
Komuniteti shqiptaro-amerikan është i mobilizuar, i angazhuar dhe i bashkuar në një moment vendimtar për Ballkanin. Së bashku, ne po ndërtojmë marrëdhënie afatgjata, po forcojmë mbështetjen dypartiake dhe po sigurojmë që perspektiva shqiptaro-amerikane të mbetet një pjesë e rëndësishme e debatit kombëtar në Shtetet e Bashkuara.
Falënderojmë Kongresisten Malliotakis për mbështetjen e saj dhe presim me padurim të bashkëpunojmë në vitet që vijnë, ndërsa vazhdojmë të zgjerojmë Kaukusin për Çështjet Shqiptare dhe të avancojmë interesat e komunitetit shqiptaro-amerikan. (AARC)
