Konjufca: Kosova aspiron anëtarësimin në NATO

Prishtinë, 8 tetor 2022 – Në Prishtinë filloi punimet Seminari i 102-të i Rose-Roth i Asamblesë Parlamentare të NATO-s.

Temë bosht e këtij seminari është “Integrimi euro-atlantik i Ballkanit Perëndimor, sfidat e zgjatura, realitetet e reja dhe perspektivat e ardhshme“.

Në këtë seminar pomarrin pjesë rreth 100 deputetë të vendeve anëtare të NATO-s dhe vendeve partnere të alancës, si edhe përfaqësues të disa organizatave ndërkombëtare e rajonale.

Kryetari i Kuvendit, Glauk Konjufca, në fjalën e hapjes, tha se ky seminar po mbahet në një moment të rëndësishëm të ndryshimeve gjeopolitike.

“Ky seminar po mbahet në një moment të rëndësishëm gjeopolitik për të gjithë ne. Prej 24 shkurtit bota ka hyrë në një kapitull të ri dhe shumë të rrezikshëm. E gjithë bota demokratike është mobilizuar për ta konfrontuar këtë invazion ushtarak të Rusisë. Shtetet demokratike janë bashkuar që përmes sanksioneve e masave të panumërta për ta pamundësuar pushtimin rus të Ukrainës”, tha ai

Konjufca tha se Kosova është radhitur në krah të shteteve demokratike, duke vënë sanksione ndaj Federatës Ruse pas agresionit ushtarak në Ukrainë. Ai tha se shqiptarët e Kosovës e dinë se çfarë po kalon populli ukrainas, pasi këtë e kanë ndjerë në lëkurën e tyre para pak më shumë se dy dekadash, kur Serbia ushtroi gjenocid ndaj tyre.

“Republika e Kosovës natyrshëm dhe fuqishëm është rreshtuar me botën demokratike. Ne si shtet jemi absolutisht të koordinuar me politikën e sanksioneve të Bashkimit Evropian dhe Shteteve të Bashkuara të Amerikës kundër Federatës Ruse. Ne kuptojmë nëpër çka po kalon populli i Ukrainës si askush tjetër meqë vetë ishim një popull që u sulmua në vendin e vetë nga Serbia e Millosheviqit në vitin 1998. Edhe Millosheviqi mendonte se Kosova nuk ishte djepi i popullit që jetonte këtu por thoshte se ishte zemra e Serbisë. Ai mendonte që Kosova dhe populli i saj nuk duhej të ekzistonin, njëjtë mendon edhe Putini për Ukrainën”, u shpreh ai.

Konjufca tha se lufta në Ukrainë e bëri të domosdoshëm zgjerimin e NATO-s.

“Lufta e Ukrainës nuk është thjesht luftë e një populli për çlirim. Ajo është më shumë se kaq, është luftë e të gjithëve për ndadhnjimin e demokracisë”, theksoi ai.

Konjufca tha se Kosova është e vendosur për një bashkëpunim më të ngushtë me NATO-n. Ai theksoi se Kosova do të kryejë të gjitha reformat e nevojshme në mënyrë që vendi të anëtarësohet në NATO si dhe Forca e Sigurisë së Kosovës të shndërrohet në një ushtri moderne.

“Republika e Kosovës mbetet e përkushtuar për një bashkëpunim të ngushtë me Aleancën Veri-Atlantike. NATO-ja kontribuon drejtpërdrejt në sigurinë e shtetit tonë. Duke u nisur nga gjendja e sigurisë në botë, shtetet që kontribuojnë përmes trupave ushtarake në KFOR po e shtojnë edhe praninë e tyre këto ditët e fundit edhe në Kosovë. Kosova do t’i kryejë të gjitha reformat e nevojshëm që një ditë të bëhet anëtare e NATO-s. Së bashku do ta kthejmë edhe FSK-në në një ushtri bashkëkohore dhe të integruar plotësisht në NATO-n, aleancën më të fuqishme të shteteve demokratike”, tha Konjufca.

Gjatë seminarit treditor do të diskutohet për sfidat dhe perspektivën e shndërrimit të Ballkanit Perëndimor në një mjedis të qëndrueshëm të sigurisë evropiane, për mbështetjen e NATO-s për paqen dhe stabilitetin në rajon, për reformat në sektorin e sigurisë në Kosovë dhe për mbikëqyrjen parlamentare të institucioneve të sigurisë në Kosovë.

(r.m.)