Prishtinë, 8 korrik 2024 – Kryetari i parlamentit të Kosovës Glauk Konjufca tha të martën se Serbia ka shkelur parimet e marrëveshjes për normalizimin e marrëdhënieve duke mos e njohur “de facto” Kosovën, dhe kjo sipas tij, u jep të drejtë autoriteteve në Prishtinë që të mos hedhin hapa për zbatimin e saj.
“Ju e keni dëgjuar për Asociacionin, Asociacioni është pika e shtatë. Asociacioni mund të ketë afat, por Asociacioni nuk është parim. Nëse ne sulmohemi nga Serbia, nëse ministri i Mbrojtjes së Serbisë thotë “kur ushtria të kthehet në Kosovë”, këtu janë shkelur parimet e marrëveshjes, kjo është fryma e marrëveshjes. Ne nuk kemi fqinjësi të mirë, ne kemi armiqësi jo për shkak tonin por për shkak të Serbisë dhe pozicionit të saj”, tha zoti Konjufca.
Ai i bëri këto komente gjatë një konference shtypi pas një takimi me presidentin e Këshillit Kombëtar të Zvicrës, Eric Nussbaumer, në një periudhë kur Bashkimi Evropian është vënë në përpjekje për të ripërtërirë procesin e ngecur të bisedimeve.
Përfaqësuesit e Kosovës dhe Serbisë pritet që deri më 18 korrik t’u dërgojnë ndërmjetësuesve të Bashkimit Evropian komentet e tyre rreth rrugës së zbatimit të marrëveshjes për normalizimin e marrëdhënieve, për të cilën palët ranë dakord vitin e kaluar në Bruksel dhe në Ohër.
Dy takimet e fundit në Bruksel ndërmjet udhëheqësve të Kosovës dhe Serbisë dhe në nivel kryenegociatorësh të të dyja palëve, që synonin zhbllokimin e zbatimit të marrëveshjes, përfunduan pa ndonjë rezultat.
Bashkimi Evropian pret komentet e palëve për të hartuar një propozim të ri mbi këtë proces.
Zoti Konjufca tha se institucionet e Kosovës duhet të këmbëngulin që zbatimi i marrëveshjes të fillojë mbi parimet pasi sipas tij, nuk mund të ketë barazi sovrane mes shteteve kur Serbia tenton të zhvlerësojë marrëveshjen dhe të shkatërrojë subjektivitetin ndërkombëtar të Kosovës.
“Kjo do të jetë korniza e shpjegimit të mënyrës se si ne e kuptojmë marrëveshjen dhe pse ne insistojmë së pari të nënshkruhet nga Serbia e pastaj të fillohet të zbatohet, ama të fillohet të zbatohet prej parimeve, jo prej datave, parimet nuk kanë data, aty shkruan ne jemi dy shtete sovrane sipas Kartës së OKB-së. Kur t’i e dhunon shtetin tjetër ke shkelur parimet ke shkelur Kartën e OKB-së”, tha zoti Konjufca.
Zoti Konjufca tha se bashkësia ndërkombëtare duhet ta ndëshkojë Serbinë lidhur me agresionin në Banjskë në shtator të vitit të kaluar, pasi që, tha ai, Serbia do ta përsërisë atë skenar, por me përmasa shumë më të mëdha. Ai tha se Serbia duhet të shihet jo vetëm si rrezik për Kosovën, por edhe për qëndrueshmërinë dhe paqen në Ballkanin Perëndimor.
Ndihmës Sekretari Amerikan i Shtetit për Çështjet Evropiane dhe Euroaziatike, James O’Brien i tha të hënën agjencisë serbe të lajmeve Tanjug se veriu i Kosovës dhe kërcënimet për shkëputje të një pjese të Bosnjës dhe Hercegovinës, janë rreziqet kryesore për sigurinë në rajon.
Por, ai theksoi se forcat paqeruajtëse të KFOR-it në Kosovë janë të gatshme “të pengojnë grupet e vogla lokale që të shkaktojnë dhunë”.
Diplomati amerikan ritheksoi mbështetjen ndaj bisedimeve Kosovë – Serbi dhe themelimit të Asociacionit të komunave me shumicë serbe dhe sipas tij janë rreth 400 asociacione të komunave në të gjithë Evropën dhe se propozimi i Asociacionit për Kosovën do të ishte një i tillë.
Zyrtarë të Bashkimit Evropian thonë se marrëveshja pavarësisht që nuk është nënshkruar, është ligjërisht e detyrueshme për Kosovën dhe Serbisë. Sipas tyre normalizimi i marrëdhënieve ndërmjet tyre është në qendër të angazhimit evropian rreth Ballkanit Perëndimor dhe se përparimi në zbatimin e marrëveshjes është i lidhur ngushtë me përparimin e të dyja palëve në proceset integruese.
(Zëri i Amerikës)