Nju Jork, 9 prill 2026 – Ministri i Jashtëm Glauk Konjufca në mbledhjen e Këshillit të Sigurimit të Organizatës së Kombeve të Bashkuara, i ka bërë thirrje Serbisë që të pranojë realitetin dhe ta njohë shtetin e Kosovës. Ai ka theksuar se politikat hegjemoniste të Serbisë po e mbajnë peng gjithë rajonin.
“Kosova mbetet e gatshme të normalizojë marrëdhëniet ndërshtetërore dhe fqinjësore, megjithatë pengesë ndaj paqes dhe normalizimit të marrëdhënieve mbetet Serbia që as nuk është e interesuar t’i normalizojë marrëdhëniet me Kosovën e as të hyjë në BE. I bëjmë thirrje Serbisë të ballafaqohet me realitetin e vet dhe ta njohë Kosovën si shtet të pavarur e sovran dhe të mos mbajë peng gjithë rajonin të një hegjemonie”, ka thënë Konjufca.
Ai ka thënë se Serbia vazhdon përpjekjet për destabilizimin e Kosovës.
“Serbia dhe aktorë tjerë keqdashës vazhdojnë t’i kthejnë në armë të drejtat e pakicave dhe të eskploatojnë natyrën shumetnike të Kosovës për të promovuar përçarje, çrregullim, duke minuar edhe institucionet tona, por edhe bashkëjetesën paqësore”, ka thënë ai.
Konjufca e ka akuzuar Serbinë edhe për ndërhyrje në zgjedhjet e Kosovës.
“Beogradi ka vazhduar të luajë rolin e vet destruktiv duke u përpjekur të ndërhyjë në zgjedhje, duke u përpjekur për ta mbështetur Listën Serbe në zgjedhjet në Kosovë, duke synuar ta reflektojë drejtimin e vet me një parti në pushtet. Ne kemi penguar ndërhyrje të tilla të huaja dhe kemi arritur të ruajmë dinjitetin e institucioneve tona demokratike”, ka thënë ai.
Konjufca i ka hedhur poshtë akuzat e ministrit të Jashtëm të Serbisë, Marko Gjuriq, se Kosova, përmes Ligjit për të Huajt, po i shkel të drejtat e komunitetit serb në Kosovë. Ai ka thënë se ky ligj nuk është diskriminues për asnjë komunitet.
“Është ligj me standarde evropiane, por ne nuk mund të lejojmë paralelizma. Ligji për të huajt përfaqëson obligimin që Kosova e ka marrë përsipër sipas marrëveshjes për Stabilizim-Asociim me BE-në”, ka thënë Konjufca, duke iu përgjigjur akuzave të Gjuriqit.
Ai ka thënë se është Serbia ajo që shkel të drejtat e komuniteteve, sidomos të drejtat e shqiptarëve në Luginë të Preshevës, përmes pasivizimit të adresave.
Konjufca është kundërpërgjigjur edhe ndaj akuzave të Serbisë se Qeveria e Kosovës po punon për “mbylljen e institucioneve shëndetësore dhe arsimore të komunitetit serb” në Kosovë. Ai ka thënë se askush në Kosovë nuk synon mbylljen e institucioneve shëndetësore e arsimore që financohen dhe kontrollohen nga Beogradi dhe ka theksuar se Qeveria e Kosovës po punon që këto institucione të veprojnë legalisht në kuadër të kornizës ligjore të Kosovës.
Shefi I diplomacisë serbe, Marko Gjuriq, në fjalën e tij e ka akuzuar Qeverinës e Kosovës, sidomos kryeministrin Albin Kurti, për shkeljen e të drejtave themelore të komunitetit serb në Kosovë. Ai ka thënë se Kombet e Bashkuara nuk duhet të heshtin, port ë reagojnë.
“Ajo që ndodh në Kosovë sot është çështje e përgjegjësisë së përbashkët në provën e kredibilitetit të rendit ndërkombëtar. Faktet janë shqetësuese”, ka thënë Gjuriq.
Në këtë kontekst ai e ka përmendur fillimin e zbatimit të Ligjit për të Huajt.
“Ka pasur rrezik real që njerëzit të cilët kanë punuar me dekada, do të trajtoheshin si të huaj, duke humbur të drejtën e tyre për qëndrim apo për të jetuar në shtëpitë e tyre. Masat e tyre jo vetëm që janë të paqarta ligjërisht, por tregojnë për një vazhdimësi të riformimit të situatës. Serbët përballen me pengesa të shumta administrative e ligjore që ua bëjnë jetën më të vështirë, nga qasja në shërbime publike, deri te ushtrimi i drejtave themelore”, është shprehur ai.
Gjuriq, duke folur për dialogun për normalizimin e marrëdhënieve me Kosovën, e ka përmendur vetëm marrëveshjen për themelimin e Asociacionit të Komunave me shumicë serbe në Kosovë.
(r. m.)