Prishtinë, 29 Mars 2024 – Kryetari i Kuvendit të Kosovës, Glauk Konjufca, ka thënë të premten se shumica nuk ka vullnet për ta çuar vendin në zgjedhje të reja të parakohshme, sepse “nuk ka arsye” që Qeveria të japë dorëheqje.
“Ky është një rast i rrallë ku të gjitha partitë pajtohen që të shkojnë në zgjedhje, por nuk po arrijnë ta bëjnë këtë gjë”, tha për gazetarë Konjufca, i cili vjen nga partia në pushtet, Lëvizja Vetëvendosje.
Opozita e vendit, përfshirë disa nga partitë më të mëdha si Lidhja Demokratike e Kosovës (LDK) dhe Partia Demokratike e Kosovës (PDK), i kanë kërkuar së fundmi Qeverisë së kryeministrit Albin Kurti të japë dorëheqje.
Ato duan largimin e Qeverisë Kurti për shkak të, siç thonë, dështimeve të vazhdueshme të saj, qoftë në planin e brendshëm, qoftë në politikën e jashtme.
Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, tha në një intervistë për REL-in më 19 mars se për partinë e tij “është njësoj”.
“Nuk kam unë problem për asnjërin variant… Nëse opozita do zgjedhje të parakohshme, duhet të shpërbëhet Kuvendi”, tha ai.
Megjithatë, deri tani ka munguar pajtimi për mënyrën se si të shkohet në zgjedhje të parakohshme.
“Nuk po duket që është punë e frikës, por mungon vullneti i mazhorancës që kjo të ndodhë përmes një dorëheqje të Qeverisë. Qeveritë japin dorëheqje vetëm kur diçka nuk është duke funksionuar”, tha Konjufca.
Aktualisht, Lëvizja Vetëvendosje në pushtet ka 56 deputetë në Kuvendin me 120 ulëse, ndërsa tri partitë opozitare kanë 42. Dy janë të pavarur, ndërsa të tjerët u takojnë partive më të vogla ose komuniteteve pakicë.
Nënkryetari i Lidhjes Demokratike të Kosovës, Lutfi Haziri, tha për Radion Evropa e Lirë këtë javë se partia e tij nuk ka ndryshuar qëndrim dhe se për të shkuar në zgjedhje të parakohshme, Qeveria duhet të japë dorëheqje.
Ndërsa, deputetja e Partisë Demokratike të Kosovës, Blerta Deliu-Kodra, tha për Radion Evropa e Lirë se partia e saj mbështet idenë që në zgjedhje të parakohshme të shkohet përmes shpërndarjes së Kuvendit.
Mandati katërvjeçar i Qeverisë së tanishme përfundon marsin e ardhshëm.
Por, Arton Demhasaj nga organizata joqeveritare “Çohu” në Prishtinë beson se, me njërin ose tjetrin opsion, vendi do të shkojë në zgjedhje më së largu deri në shtatorin e këtij viti.
Demhasaj, njohësi i zhvillimeve politike tha për REL-in se “problematizimi” i çështjes se si vendi mund të dërgohet në zgjedhje të parakohshme, është “lojë politike” e partisë në pushtet dhe opozitës.
Sipas tij, Lëvizjes Vetëvendosje i përshtatet që në zgjedhje të parakohshme të shkohet përmes marrëveshjes së partive politike për shpërndarje të Kuvendit.