Prishtinë, 9 gusht 2026 – Ministri në detyrë i Punëve të Jashtme të Kosovës, Glauk Konjufca, ka reaguar ndaj deklaratës së presidentit ukrainas, Volodymyr Zelenskyy, në Beograd, se qëndrimi i Ukrainës për të mos e njohur pavarësinë e Kosovës nuk ka ndryshuar.
Në një deklaratë të shpërndarë përmes platformës “X”, Konjufca ka shprehur kerqardhje që Zelensky rikonfirmoi në Beograd qëndrimin për mosnjohjen e shtetit të Kosovës.
Ai ka thënë se Kosova e ka qëndruar në krah të Ukrainës që prej agresionit rus në shkallë të gjerë, pavarësisht se Kievi nuk e ka njohur shtetin e Kosovës. Ai ka numëruar aktet mbështetëse për Ukrainën dhe mbrojtjen e saj.
“E bëmë këtë pavarësisht mosnjohjes së shtetit tonë nga Ukraina, sepse solidariteti me një popull që mbron lirinë, sovranitetin dhe integritetin e tij territorial është çështje parimore”, ka theksuar Konjufca.
Ai ka theksuar se derisa Kosova i ka dhënë mbeshtetje të fuqishme Ukrainës, ndërsa Serbia nuk u është bashkuar sanksioneve të Bashkimit Evropian ndaj Ruusisë.
Kreu i diplomacisë kosovare ia ka kujtuar presidentit ukrainas se shteti i Kosovës nuk “akt aneksimi, pushtimi apo pushtimi territorial”, por fryt i luftës legjitime të popullit të saj për pavarësi nga regjimi gjenocidal i Serbisë.
“Republika e Kosovës është një shtet sovran dhe i pavarur, i lindur nga lufta e popullit të saj për liri dhe nga çlirimi i tij në vitin 1999, pas viteve të represionit sistematik dhe fushatës gjenocidale të regjimit të Millosheviqit. Ajo që pasoi nuk ishte një akt aneksimi, pushtimi apo pushtimi territorial, por një proces i gjerë ndërkombëtar nën administrimin e Kombeve të Bashkuara dhe vite të tëra negociatash të ndërmjetësuara ndërkombëtarisht për statusin përfundimtar të Kosovës”, ka thënë Konjufca.
Ai ka theksuar se Gjykata Ndërkombëtare e Drejtësisë e ka konfirmuar se shpallja e pavarësisë së Kosovës nuk ka qenë shkelje e të drejtës ndërkombëtare dhe se Republika e Kosovës sot njihet nga shumica dërrmuese e shteteve anëtare të NATO-s dhe BE-së.
Konjufca i ka hedhur poshtë përpjekjet e Rusisë që rastin e Kosovës ta përdorë si precedent apo si justifikim në përpjekjet për aneksimin e territoreve të Ukrainës. Ai ka theksuar se paralele të tilla janë të paqëndrueshme.
Ai ka theksuar se Kosova e mbështet plotësisht sovranitetin, pavarësinë dhe integritetin territorial të Ukrainës, por e kundërshton fuqishëm vështrimin e Kosovës përmes prizmit të Serbisë.
“Kosova mbetet e palëkundur në mbështetjen e saj për sovranitetin, pavarësinë dhe integritetin territorial të Ukrainës. Në të njëjtën kohë, ne e kundërshtojmë me respekt, por në mënyrë të vendosur, çdo vështrim të Republikës së Kosovës përmes prizmit të integritetit territorial të Serbisë”, ka thënë Konjufca.
Ai ka theksuar se njohja e shtetit të Kosovës nga Ukraina do të forconte parimet e lirisë, demokracisë dhe së drejtës ndërkombëtare.
“Do ta mirëprisnim njohjen e Republikës së Kosovës nga Ukraina. Një vendim i tillë do t’i forconte pikërisht parimet e lirisë, demokracisë dhe së drejtës ndërkombëtare që vetë Ukraina po i mbron sot”, ka thënë Konjufca në përmbyllje të deklaratës.
(r.m.)