Konjufca: Propozimi për Asociacionin është në përputhje me Kushtetutën e Kosovës

Prishtinë, 25 tetor 2023 – Kryetari i Kuvendit të Kosovës, Glauk Konjufca, tha se propozimi i Bashkimit Evropian për Asociacionin e komunave me shumicë serbe, i cilësuar si “propozim modern evropian”, duket se është në përputhje të plotë me Kushtetutën e Kosovës.

Megjithatë, ai tha se Asociacioni nuk duhet të jetë temë qendrore e negociatave, pasi për të është arritur më herët marrëveshje.

“Në një shikim sipërfaqësor, po [propozimi për Asociacionin] është plotësisht në përputhje me Kushtetutën e Republikës së Kosovës dhe kurrfarë niveli i pushtetit në Kosovë. Por, edhe kjo nuk mendoj që është temë e negociatave me Serbinë. Nëse ndonjëherë ndodh ndonjë draft i Asociacionit, ai do të propozohet nga Republika e Kosovës, nëse veç ndodh, nëse jo nuk do të propozohet fare”, tha Konjufca, në një prononcim për media në Prishtinë.

Përfaqësuesi i BE-së për dialogun Kosovë-Serbi dhe përfaqësuesit e Shteteve të Bashkuara të Amerikës, Gjermanisë, Francës dhe Italisë, të shtunën që shkoi, ua dorëzuan Kryeministrit të Kosovës, Albin Kurti, dhe Presidentit të Serbisë, Aleksandar Vuçiq, një propozim për uljen e tensioneve midis dy vendeve dhe për zbatimin e marrëveshjes bazë për normalizim të marrëdhënieve midis tyre.

Zëdhënësi i BE-së, Peter Stano, e ka cilësuar këtë si “propozim modern evropian për statutin e Asociacionit të komunave me shumicë serbe”.

Kosova ka thënë vazhdimisht se Asociacioni i komunave me shumicë serbe duhet të jetë në pajtim me Kushtetutën e Kosovës.

Gjykata Kushtetuese e Kosovës kishte gjetur se disa pika të marrëveshjes për formimin e Asociacionit, të arritur gjatë dialogut, në vitin 2015, bien ndesh me frymën e Kushtetutës dhe rekomandoj që këto pika të korrigjohen me statutin e Asociacionit.

Serbia kërkon me ngulm themelimin e Asociacionit sipas marrëveshjes së vitit 2015, pavarësisht prej gjetjeve të Gjykatës Kushtetuese të Kosovës.

(r.m.)