Prishtinë, 16 prill 2026 – Ministri i Jashtëm i Kosovës, Glauk Konjufca, ka thënë se do të heqë dorë nga kandidatura për president të Kosovës nëse opozita propozon një kandidat jopartiak.
Konjufca është propozuar nga Lëvizja Vetëvendosje për postin e presidentit.
“Kryeministri ka vendosur njëfarë kornize. Të mos jetë drejtpërdrejt i partive politike ky president nëse vendoset konsensual. Pra, të mos jetë drejtpërdrejt prej kryesive, të mos jetë kryetar i tyre apo kështu shumë i afërt, që vjen prej rangjeve të strukturave të partive, të mos jetë i tillë”, ka thënë Konjufca në një deklaratë për media.
Ai ka theksuar se nuk është diskutuar mundësia që president të jetë kryetari i Lidhjes Demokratike, Lumir Abdixhiku dhe ka shtuar se mundësia e një kandidati që buron nga një marrëveshje politike nuk është diskutuar në takimet e deritashme.
Konjufca ka përsëritur qëndrimin se Vetëvendosjes nuk i takon të propozojë një kandidat konsensual, pasi kjo parti e ka kandiduar atë.
“Nuk është përgjegjësia e jonë të propozojmë emër jopartiak. Ata po thonë nuk bën ky. Atëherë nëse nuk bëj unë kush është emri? ‘Më fal, nuk kemi’. E po, qysh? Nuk bëj unë apo… Cili bën pra”, është shprehur Konjufca.
Partitë nuk kanë arritur pajtim për një kandidat konsensual.
Afati për zgjedhjen e presidentit, i përcaktuar nga Gjykata Kushtetuese, skadon më 28 prill. Nëse presidenti nuk zgjidhet deri më 28 prill, atëherë vendi shkon automatikisht në zgjedhje brenda 45 ditëve.
(r.m.)