Prishtinë, 23 shkurt 2026 – Të hënën u konfirmua përfundimisht se partia kryesore politike në Kosovë, Lëvizja Vetëvendosje (LVV), nuk do të ketë kandidat të saj për pozitën e Presidentit të Republikës.
Këtë e konfirmoi kryetari i LVV-së, Albin Kurti, pas takimit me kryetarin e Lidhjes Demokratike të Kosovës (Lumir Abdixhiku), ku është diskutuar për çështjen e zgjedhjes së Presidentit të vendit. \
Kurti tha se LVV nuk ka kandidat të saj, prandaj partitë parlamentare gjenden para dielmës: të gjejnë “një emër të përveçëm” ose të merren vesh për një kandidat të përbashkët.
“Tash e kemi edhe një sfidë; në njërën anë ne nuk kemi garuar në zgjedhjet e 28 dhjetorit me një emër të përveçëm, pra LVV nuk e ka një anëtar me librezë partie që synon të bëhet president. Pra, ose të gjejmë një emër të përveçëm për president, ose partitë të merren vesh mes vete për të vazhduar tutje”, deklaroi Kurti pas takimit.
Edhe kryetari i LDK-së tha se për zgjedhjen e presidentit të ardhshëm ekzistojnë vetëm dy opsione: konsensusi i faktorëve politikë ose një marrëveshje politike mes partive.
Dakordimi i përgjithshëm është se janë vetëm dy rrugë përpara: ndërtimi i një konsensusi politik brenda këtyre ditëve ose arritja e një marrëveshjeje klasike politike mes partive. Në të dyja rastet duhen dy të tretat e votave”, u shpreh Abdixhiku.
Për një kandidat konsensual u shpreh edhe Kryetarfi i Partisë Demokratike të Kosovës (PDK), Bedri Hamza, një ditë më parë.
“Zgjedhja e Presidentit nuk është çështje e një partie të vetme, por përgjegjësi e të gjithë përfaqësuesve të zgjedhur të popullit”, tha Hamza, pas takimit me Kurtin, të dielën pasdite
Ai tha se PDK-ja do të marrë pjesë në proces, por nuk do të mbështesë kandidatura që nuk e përfaqësojnë unitetin qytetar.
“Si subjekt politik opozitar, nuk kemi qenë dhe nuk jemi pengesë e proceseve shtetërore, por as nuk mbështesim kandidatura që nuk përfaqësojnë unitetin qytetar, sipas frymës kushtetuese”, u shpreh Hamza.
“Uroj që të ketë reflektim nga ata që e kanë përgjegjësinë kushtetuese për të propozuar kandidatura me mbështetje të gjerë, duke shmangur kalkulimet afatshkurtra partiake. Stabiliteti institucional është jetik dhe duhet të trajtohet si i tillë”, shtoi ai.
Kosova duhet ta zgjedhë Presidentin a Presidenten e re më së largu deri më 4 mars. Sipas Kushtetutës, Presidenti i ri duhet të zgjidhet një muaj para skadimit të mandatit të Presidentit që në detyrë. Mandati i Presidentes Vjosa Osmani përfundon më 5 prill.
Presidentja Osmani ka bërë të ditur se ajo do të kërkojë edhe një mandat të dytë pesëvjeçar, por tash për tash nuk dihet nëse ajo mund ta fitojë përkrahjen e nevojshme për t’u rizgjedhur në këtë pozitë.
Deri më tash, nuk është paraqitur dhe as nuk është përmendur ndonjë kandidat tjetër i mundshëm për pozitën e të parit të vendit.
(r.m.)