Kori “Siparantum” nga Peja fiton Medaljen e Artë dhe Çmim Special në Tajlandë

Bangkok (Tajlandë), 4 shtator 2025 – Kori “Siparantum” nga Peja i fitoi dy çmime shumë të rëndësishme në edicionin e dytë të Festivalit Ndërkombëtar të Koreve në Bangkok të Tajlandës.

Ky kor e ka fituar Medaljen e Artë në kategorinë “Mixed Adult Choir”, ku është renditur i dyti, pas korit “PSM-ITB” nga Indonezia, si edhe Çmimin Special të juries së festivalit, për rrëfim mbresëlënës, raporton Koha.

Në garën për Çmimin e Madh, “Siparantum” ka interpretuar veprat “Pakëz në ëndërr, pakëz në zhgjëndërr” të kompozitorit kosovar Baki Jashari dhe “Nyon, Nyon” të Jake Runestad. Interpretimi i veprës së Jasharit, e cila sjell një rrëfim të historisë më të re të Kosovës, është ndjekur me kërshëri e vëmendje të veçantë nga publiku në sallë. Përveç intepretimit, publikun e ka entuziasmuar edhe koreografia e veprës.

Tommyanto Kandisaputra, bashkëdrejtues artistik i e festivalit, ka shprehur vlerësimet më të larta për korin “Siparantum” dhe dirigjentin e tij Mamli Kelmendin.

“Është një kor që zgjon interes. Është dramatik dhe paraqet interpretime jo të zakonshme. Mendoj se ka interpretues shumë të mirë, me zë të mirë dhe ekspresiv. Dirigjenti di shumë mirë t’i shtjellojë e t’i tregojë rrëfimet nëpërmjet performancave”, ka thënë ai.

Anëtari i jurisë, amerikani Ethan Sperry, ka thënë se anëtarët e korit nga Kosova e prezantuan shumë mirë vendin dhe kulturën e tyre në botë.

“Ata kanë bërë një punë shumë të madhe për të zjellë rrëfimet e tyre. Ishe kori i vetëm joaziatik në garë dhe mendoj se ajo që kanë bërë është shumë e rëndësishme”, ka thënë ai. 

“Ata paraqesin storie që kanë ndikim kulturor. As në Amerikë, prej nga vij unë, nuk dimë shumë për Kosovën e mendoj se edhe më pak dihet në Azi. ‘Siparantum’ paraqet rrëfime shumë të mira”, ka shtuar Sperry.

Por, sugjeruar që në të ardhmen “Siparantum” të prezantohet në festivale, përveç me një këngë korale të vendit, edhe me një këngë korale të njohur.

“Nëse qëllimi është të fitohet gara rekomandoj ta kenë një pikë që paraqet rrëfim Kosove dhe një tjetër që është muzikë tradicionale e koreve. Edhe vepra e dytë në garën finale ‘Nyon, Nyon’ nuk është muzikë tradicionale korale. Me të vërtetë do të doja të dëgjoja një vepër ku interpretojnë akorde të bukura”, ka thënë ai.

Dirigjenti Memli Kelmendi, pas ndarjes së çmimeve, ka thënë se paraqitja e korit “Siparantum” në festivalin e Bangkokut është shumë domethënëse, pasi aty i përfaqësoi vlerat kombëtare.

“Ne e pasqyrojmë kulturën tonë si popull dhe imazhin e Kosovës. Mendoj se nëpërmjet korit e interpretimeve e kemi krijuar një identitet të ri në muzikën korale dhe kjo po vlerësohet. Këto dy çmime për ne janë shumë të rëndësishme. Mendoj se ‘Siparantum’ luan një rol të rëndësishëm, pasi mision i yni mbetet përfaqësimi i vlerave tona në skenën ndërkombëtare”, ka thënë ai.

Në edicionin e dytë të Festivalit Ndërkombëtar të Koreve në Tajlandë kanë marrë pjesë 24 kore nga pesë vende të botës. “Siparantum” ka qenë kori i vetëm nga një vend evropian.

(r.m.)