Bruksel, 26 maj 2026 – Komisionerja e Bashkimit Evropian (BE) për Zgjerimin, Marta Kos, ka deklaruar se Shqipëria ka bërë hapa të rëndësishëm dhe të suksesshëm në përmbushjen e kritereve për anëtarësim në BE.
Në Konferencën e 8-të Ndërqeveritare Shqipëri–BE, Kos ka thënë se kjo konferencë shënon nisjen e një faze të re në procesin e negociatave dhe ka shprehur besimin se Shqipëria do të avancojë më shpejt në procesin e mbylljes së kapitujve të negociatave për anëtarësim në BE.
“Sot ne po vendosim me vetëbesim edhe termat përfundimtarë të rrugëtimit në BE. Arritja e sotme çel një fazë të re të bisedimeve të zgjerimit dhe bën të mundur për Shqipërinë të ecë përpara me mbylljen e kapitujve”, është shprehur ajo.
Kos e ka vlerësuar progresin e Shqipërisë, duke e veçuar punën e Strukturës së Posaçme Kundër Korrupsionit (SPAK)
“Puna juaj e 10 viteve ka qenë e suksesshme. Janë hedhur hapa në mbrojtjen e të drejtave të njeriut. Ngritja e institucioneve të reja të drejtësisë ka frenuar ndërhyrjen e politikës në sistemin gjyqësor. SPAK ka vërtetuar se mund të japë rezultate dhe të bëhet institucioni më i besuar në Shqipëri”, është shprehur Kos.
Sipas saj, ky progres është një bazë të fortë për vazhdimin e reformave dhe për mbylljen graduale të kapitujve të negociatave me BE-në.
Komisionerja për zgjerim ka thënë se BE-ja do të vazjdojë të mbështesë procesin e reformave në Shqipëri, me synimin për mbylljen e negociatave deri në vitin 2027.
(r.m.)