Kosova bën kallëzim penal ndaj ministres serbe Snezhana Paunoviq

Prishtinë, 16 korrik 2026 – Ministrja e Drejtësisë në detyrë e Kosovës, Donika Gërvalla, ka njoftuar se ka dorëzuar kallëzim penal ndaj ministres së Administratës Shtetërore dhe Vetëqeverisjes Lokale në Qeverinë e Serbisë, Snezhana Paunoviq.

Gërvalla ka bërë të ditur se  nga Zyra e Kryeprokurorit të Shtetit ka kërkuar që, në kuadër të kompetencave ligjore të saj, të ndërmarrë të gjitha veprimet e nevojshme hetimore dhe të procedojë tutje me aktakuzë dhe kërkesë për shqiptimin e dënimit.

“Republika e Kosovës nuk hesht dhe asnjëherë nuk përkulet para gjuhës së urrejtjes, thirrjes e nxitjes për përçarje dhe mosdurimit. Nuk ka hapësirë për glorifikimin e spastrimit etnik, relativizimin e gjenocidit e krimeve monstruoze serbe dhe përhapjen e narrativave që synojnë cenimin e paqes, sigurisë dhe bashkëjetesës ndëretnike si dhe nxitjen e urrejtjes”, ka shkruar Gërvalla në Facebook.

“Deklaratat publike që synojnë të justifikojnë spastrimin etnik dhe dëbimin e një populli nuk mund të trajtohen si retorikë e zakonshme politike. Ato mbajnë pasoja të rënda historike, juridike e njerëzore”, ka theksuar ajo.

May be an image of text

Gërvalla i ka shpjeguar edhe arsyet për kallëzim penal.

“Më 12 korrik 2026, gjatë një interviste të dhënë për emisionin ‘Neisprićano’ (shqip: E pathënë), në kuadër të medias serbe “Kurir” e transmetuar edhe në kanalin Youtube, e dyshuara, në cilësinë e ministres në Qeverinë e Serbisë, ndër të tjera ka deklaruar: ‘Po të isha unë Sllobodan Millosheviçi, do ta kisha bërë spastrimin etnik të Kosovës në vitin 1998’”, ka shpjeguar Gërvalla.

Ajo ka thënë se ministrja Paunoviq, të cilën e ka quajtur si “trashëgimtare të denjë të Millosheviçit”, “vazhdon narrativën e papranueshme, e cila është e dënueshme nga secili rregull vendor dhe ndërkombëtar”.

“Për këtë arsye, në cilësinë e Ministres së Drejtësisë kërkova nga Zyra e Kryeprokurorit të Shtetit që, në kuadër të kompetencave ligjore, të ndërmarrë të gjitha veprimet hetimore dhe të procedojë tutje me aktakuzë dhe kërkesë për shqiptimin e dënimit nga Gjykata kompetente”, ka thënë Gërvalla.

“Në një Republikë demokratike si Kosova, përgjigjja ndaj gjuhës së urrejtjes dhe nxitjes së përçarjes është sundimi i ligjit. Institucionet e Republikës së Kosovës kanë përgjegjësinë kushtetuese dhe detyrimin moral për të mbrojtur rendin kushtetues, dinjitetin e çdo qytetari të saj dhe vlerat themelore mbi të cilat është ndërtuar shteti ynë: lirinë, demokracinë, paqen dhe respektimin e të drejtave të njeriut”, ka shtuar aj.

Gërvalla ka rikujtuar edhe me këtë rast se Serbia ende nuk ka kërkuar falje për krimet e kryera gjatë luftës në Kosovë.

“Mbi 10,000 civilë shqiptarë humbën jetën, 1,565 persona ende figurojnë të zhdukur, afër një milion qytetarë u dëbuan me dhunë, rreth 20,000 gra, burra e fëmijë u përdhunuan dhe mbi 100,000 shtëpi u shkatërruan dhe u dëmtuan rëndë. Këto ishin pasoja të një fushate sistematike të gjenocidit e spastrimit etnik të kryer nga regjimi serb në Kosovë, të shoqëruar me vrasje, dëbime, dhunë seksuale dhe trajtim çnjerëzor.

Deklarata e ministres serbe Snezhana Paunoviq ka shkaktuar reagime të shumta në Kosovë e në Serbi, si edhe në Bruksel. Komisionarja për Zgjerim e BE-s, Marta Kos, ka shprehur habi se si Snezhana Paunoviq vazhdon të jetë ende ministre pas një deklarate të tillë.

Deputeti i vetëm shqiptar në Kuvendin e Serbisë, Shaip Kamberi, e ka dorëzuar kërkesën për shkarkimin e ministres Oaunoviq. Nisma është mbështetur nga 53 deputetë të opozitës në Serbi.

Një ditë më parë Ministri në detyrë i Punëve të Brendshme, Xhelal Sveçla, e ka shpallur “person non grata” ministren serbe Snezhana Paunoviq dhe ia ka ndaluar hyrjen dhe kalimin nëpër territorin e Kosovës.

“Si Ministër i Punëve të Brendshme i Republikës së Kosovës, sot kam nxjerrë vendim përmes së cilit Snezana Paunović kam shpallur persona non grata, të padëshirueshëm, me ndalim të përhershëm të hyrjes në apo kalimit tranzit përmes Republikës së Kosovës”, ka njoftuar ai.

Sveçla ka thënë se gjuha e përdorur nga ministrja Paunoviq “është vazhdimësi e një politike shtetërore që për shumë dekada ka prodhuar dhunë, krime dhe përpjekje për zhdukjen e shqiptarëve nga trojet e tyre”.

 Ai ka theksuar se një gjuhë e tillë duhet të dënohet ashpër nga të gjitha shtetet. 

“Urrejtja e tillë e vazhdueshme, e shprehur me tone kërcënuese ndaj rendit kushtetues dhe sovranitetit të Republikës sonë nga ministrja në fjalë, është e papranueshme dhe duhet të dënohet ashpër nga shtetet dhe shoqëritë demokratike që mbrojnë paqen, të drejtat e njeriut dhe nuk tolerojnë retorikë e sjellje që nxit urrejtje, destabilizim dhe përsëritje të politikave kriminale të së kaluarës”, ka thënë Sveçla.

“Epoka kur shqiptarët shtypeshin, masakroheshin dhe spastroheshin etnikisht ka përfunduar njëherë e përgjithmonë”, ka theksuar ai.

“Republika e Kosovës është shtet sovran e demokratik, me institucione të forta që mbrojnë rendin kushtetues, integritetin territorial dhe sigurinë e çdo qytetari. Sot ka rend dhe ligj, ka drejtësi që vazhdon të kërkojë përgjegjësi për krimet e kryera gjatë luftës dhe ka institucione që nuk do të lejojnë cenim të sovranitetit të vendit tonë. Çdo përpjekje për të ringjallur ideologjitë e spastrimit etnik apo për të kërcënuar Republikën e Kosovës do të përballet me përgjigje të vendosur, ligjore dhe institucionale”, ka shkruar Sveçla në Facebook.

(r.m.)