Kosova dhe Bahamet nënshkruajnë marrëveshje për heqjen e vizave

Prishtinë, 20 janar 2026 – Kosova dhe Bahamet kanë nënshkruar marrëveshje për heqjen reciproke të vizave, për të mundësuar lëvizjen e lirë të qytetarëve të të dy vendeve.

Marrëveshja është nënshkruar të martën, në Uashington, nga ambasadorët e të dy vendeve – ambasadori i Bahameve, Wendall K. Jones, dhe ambasadori i Kosovës, Ilir Dugolli.

Presidenca e Kosovës, në një postim në Facebook, tha se heqja e vizave ishte hapi i radhës për të cilin ishin pajtuar presidentja e Kosovës, Vjosa Osmani, dhe kryeministri i Bahameve, Philip Davis, në muajin në dhjetor, me rastin e nënshkrimit të marrëveshjes për vendosjen e marrëdhënieve diplomatike mes dy vendeve.

“Pas njohjes nga Bahamas dhe vendosjes së marrëdhënieve diplomatike në muajin dhjetor, Presidentja Osmani dhe Kryeministri Davis u dakorduan se ky do të ishte hapi i radhës. Ky hap dëshmon përkushtimin e përbashkët për forcimin e partneritetit ndërmjet Kosovës e Bahamas dhe, mbi të gjitha, për forcimin e lidhjeve mes qytetarëve tanë, duke i afruar ata edhe më shumë me njëri-tjetrin”, thuhet në njoftimin e Presidencës.

Marrëveshja do të mundësojë lëvizjen e lirë të qytetarëve të Kosovës dhe Bahameve si edhe forcimin e lidhjeve ekonomike, kulturore dhe diplomatike mes dy vendeve.

Bahamet, vendi ishullor në Oqeanin Atlantik, është vendi 121-të i botës që e ka njohur Kosovën.

Ky vend në Karaibe ka qenë në mesin e 106 vendeve të botës ku kosovarët duhet të pajiseshin me vizë për të udhëtuar atje. Tani bëhet vendi i 53-të në botë ku kosovarët mund të udhëtojnë pa viza.

(r.m.)