Kosova dhe BE-ja nënshkrun marrëveshjen IPA 2022, me vlerë 62 milionë euro

Prishtinë, 24 mars 2023 – Kosova dhe Bashkimi Evropian nënshkruan të premten marrëveshjen financiare të programit vjetor IPA 2022. Kjo marrëveshje, nga e cila Kosova do të përfitojë 62 milionë euro, u nënshkrua nga zëvendëskryeministri i Kosovës, Besnik Bislimi dhe shefi i misionit të BE-së në Kosovë, ambasadori Tomas Szunyog.

Pas nënshkrimit, Bislimi tha se me fondin prej 62 milionë eurosh që do të alokohet nga BE-ja do të financohen projekte në fushë të energjisë, mbrojtjes së ambientit dhe ngritjes profesionale.

“Brenda një periudhe të shkurtër kjo është marrëveshja e tretë më radhë që po e nënshkruajmë në kuadër të programeve IPA 3. Kanë kaluar vetëm gjashtë muaj nga shtatori i vitit të kaluar ku ka hyrë në fuqi marrëveshja kornizë për IPA 3 që i mundëson krijimin e kornizës së përgjithshme ligjore për zbatimin e fondeve IPA 3 në Kosovë dhe ne tashmë kemi arritur marrëveshjen financiare për tri vitet e para. Me nënshkrimin e marrëveshjes IPA 2022, Kosova po përfiton 62 milionë euro me të cilat do të zbatohen një sërë projektesh, sikurse janë; përkrahja për profesionet e lira në Kosovë, përkrahja për mjedisin dhe energjinë e gjelbërt, efiçienca e energjisë, etj”, ka thënë ai, citon Ekonomiaonline.

(r.m.)