Kosova dhe KfW nënshkruajnë marrëveshje për pako financiare prej 81 milionë eurosh

Prishtinë, 18 mars 2026 – Ministria e Financave e Kosovës dhe Banka Gjermane për Zhvillim (KfW nënshkruan sot në Prishtinë marrëveshje për një paketë financiare me vlerë 81 milionë euro, për avancimin e reformave dhe përshpejtimin e tranzicionit energjetik në Kosovë.

Ministria njoftoi se kjo paketë financiare përfshin kredi prej 80 milionë eurosh dhe grant prej 1 milion eurosh, të cilat janë të dedikuara për zbatimin e reformave në sektorin e energjisë, në përputhje me standardet e Bashkimit Evropian dhe Komunitetit të Energjisë.

Ministri i Financave, Hekuran Murati, tha se kjo mbështetje do të kontribuojë në modernizimin e kornizës ligjore dhe rritjen e fleksibilitetit të tregut të energjisë elektrike, duke mundësuar integrimin e mëtejmë në tregjet rajonale dhe evropiane, si dhe duke nxitur investimet në burimet e ripërtëritshme të energjisë.

Udhëheqësi i divizionit të energjisë në KfW-së, Pablo Obrador Alvarez, tha se ky program, i pari i këtij lloji për Kosovën, krijon bazë për modernizim të mëtejshëm dhe integrim të sektorit energjetik.

Ministria e Financave e cilëson këtë marrëveshje si “një hap të rëndësishëm drejt ndërtimit të një sistemi energjetik më të qëndrueshëm, të sigurt dhe të integruar, në funksion të zhvillimit ekonomik dhe tranzicionit të gjelbër të vendit”.

(r.m.)