Kosova dhe Maqedonia e Veriut rrezikojnë të hiqen nga lista e vendeve të sigurta

Lubjanë, 26 gusht 2021 – Kosova dhe Maqedonia e Veriut rrezikojnë të hiqen së shpejti nga lista e të ashtuquajturave shtete të sigurta, sa i përket pandemisë së koronavirusit.

Radio Evropa e Lirë mëson nga burime të besueshme se Sllovenia, si vend kryesues i Bashkimit Evropian, ka përpiluar një listë të re të vendeve, në të cilat duhet të kthehen masat kufizuese sa i takon lëvizjes në BE, për shkak të përkeqësimit të situatës epidemiologjike.

Shtetet anëtare të BE-së do të votojnë në ditët në vijim për miratimin e listës së përditësuar.

Përveç Kosovës dhe Maqedonisë së Veriut, mësohet se BE-ja ka përfshirë në listën e vendeve të pasigurta edhe Malin e Zi, Izraelin, Shtetet e Bashkuara dhe Libanin.

Në parim, sipas burimeve të BE-së, nga vendet që nuk janë në listën e “vendeve të sigurta” nuk lejohet hyrja në BE, pos në rastet kur udhëtimet janë të domosdoshme.

Po ashtu kufizimet nuk vlejnë për ata që në territorin e ndonjë vendi të Bashkimit Evropian kanë vendbanim ose udhëtojnë zyrtarisht.

Përpara fillimit të sezonit veror dhe pas përmirësimit të situatës epidemiologjike, BE-ja i ka hequr kufizimet e udhëtimit për qytetarët e të gjitha vendeve të Ballkanit Perëndimor.

Deri në pushimet verore, BE-ja i ka përditësuar listat çdo dy javë, në përputhje me situatën epidemiologjike në secilin vend veç e veç.

Kjo praktikë do të vazhdojë tani që institucionet evropiane po i kthehen funksionimit normal, pas pushimeve verore.

Shteteve u jepet statusi i sigurt nëse regjistrojnë maksimum 75 raste të reja me koronavirus në 100,000 banorë, në 14 ditët e fundit.

Në maj, BE-ja ka miratuar të ashtuquajturën “frenë emergjente”, sipas së cilës, ndalimi i udhëtimit për qytetarë të vendeve të caktuara mund të riaktivizohet urgjentisht, nëse situata epidemiologjike përkeqësohet me shpejtësi.

BE-ja ka vendosur kufizime për udhëtimet e parëndësishme për qytetarët e të ashtuquajturve vende të treta qysh në mars të vitit 2020, kur edhe ka shpërthyer pandemia e koronavirusit.

(REL)