Bruksel, 22 janar 2026 – Kosova dhe Serbia janë pajtuar të enjten në Bruksel që të funksionalizojnë komisionin e përbashkët për personat e zhdukur gjatë luftës në Kosovë.
Dy palët janë pajtuar për zbatimin e plotë të deklaratës së përbashkët për personat e zhdukur të miratuar në një takim të kryenegociatorëve me të dërguarin e Bashkimit Evropian për dialogun, në dhjetor të vitit 2024, në Bruksel.
Marrëveshja është arritur pas bisedimeve disa orëshe që ndërmjetësi evropian në dialog, Peter Sorensen, i ka zhvilluar veç e veç me kryenegociatorët e të dy vendeve, Benik Bislimin dhe Petar Petkoviqin.
Në fund të këtyre takimeve, në orët e mbrëmjes, është mbajtur një takim i përbashkët, në të cilin është formalizuar marrëveshja.
Kryenegociatori i Kosovës, Besnik Bislimi, pas rundit të dialogut me Serbinë të zhvilluar në Bruksel, tha se tani mbetet që zëvendësit e tyre të takohen javët e ardhshme dhe të përcaktojnë prioritetet e para të punës së komisionit të përbashkët.
“Qëllimi ishte që të arrijmë dakordim që sot ta funksionalizojmë komisionin e përbashkët për jetësimin apo zbatimin e Marrëveshjes për personat e pagjetur në mes të kryeministrit [të Kosovës, Albin] Kurti dhe presidentit [të Serbisë, Aleksandar] Vuçiq. Takimet ishin të suksesshme dhe në fund arritëm që përfundimisht ta jetësojmë këtë objektiv”, tha Bislimi.
Ndërkaq, kryenegociatori i Serbisë, Petar Petkoviq, e cilësoi rundin e dialogut të 22 janarit si “takimin e parë të komisionit të përbashkët për zbatimin e Deklaratës për personat e zhdukur”.
“Kjo është jashtëzakonisht e rëndësishme dhe domethënëse dhe shpresoj që pas këtij takimi të parë të përshpejtohen të gjitha proceset në drejtim të gjetjes së të gjithë personave të zhdukur”, tha Petkoviq.
Formimi i komisionit të përbashkët për personat e pagjetur është pjesë e Deklaratës së përbashkët për personat e zhdukur, për të cilën janë pajtuar kryeministri i Kosovës, Albin Kurti dhe presidenti i Serbisë, Aleksandar Vuçiq, më 2023. Kryenegociatorët e Kosovës dhe Serbisë janë edhe bashkëkryesues të këtij komisioni.
Palët kishin diskutuar për themelimin e komisionit për personat e zhdukur edhe në takim që ishte zhvilluar më 11 shtator të vitit 2025, por ato kishin përfunduar pa asnjë rezultat.
Kryetari i Komisionit Qeveritar për Personat e Zhdukur, Andin Hoti, i cili ishte i pranishëm në Bruksel, ka thënë se për tre vjet Serbia e kishte refuzuar themelimin e këtij komisioni.
“Ne mirëpresim takimin e radhës, me pritjen e qartë që pala serbe të vijë me hapa konkretë dhe të matshëm, në përputhje me obligimet e marra në Deklaratën e personave të zhdukur”, ka shkruar Hoti në Facebook.
Kosova dhe Serbia nuk kanë zhvilluar asnjë takim të nivelit të lartë që nga viti 2023, pas sulmit të një grupi të armatosur serb ndaj Policisë së Kosovës në Banjskë të Zveçanit.
Kryeministri në detyrë i Kosovës, Albin Kurti, i cili pritet të jetë në krye të qeverisë së vendit edhe një mandat katërvjeçar, e ka kushtëzuar vazhdimin e dialogut me dorëzimin e të dyshuarit kryesor për sulmin në Banjskë, Millan Radoiçiq. Por, Beogradi refuzon t’ia dorëzojë Kosovës Radojçiqin, i cili është i lirë në Serbi, pavarësisht se ai e ka pranuar se ka qenë udhëheqës i grupit të armatosur që kreu sulmin në Banjskë.
Ndërkaq, Kryenegociatori i Serbisë, Petar Petkoviq, ka thënë se përparimi në dialogun e ndërmjetësuar nga Bashkimi Evropian “varet nga gatishmëria e Kosovës për ta themeluar Asociacionin e komunave me shumë serbe”.
Në vitin 2023, Kosova dhe Serbia janë pajtuar me marrëveshjen për rrugën drejt normalizimit të marrëdhënieve midis tyre, por nuk janë duke e zbatuar atë.
(r.m.)