Prishtinë, 11 tetor 2025 – Fishekzjarre, flamuj kuq e zi, xhiro me motocikleta e vetura të stolisura me simbole kombëtare shqiptare, këngë me motive patriotike, brohoritje “Shqipëria, Shqipëria, Shqipëria…”
Kështu e manifestuan qindra e mijëra qytetarë të Prishtinës të pjesën qendrore të qytetit pas fitores së kombëtares së Shqipërisë në futboll ndaj përfaqësueses së Serbisë në Serbi, të shtunën në mbrëmje vonë.
Tifozë të ekzaltuar nga fitorja e djemve që i nderojnë simbolet kombëtare shqiptare brohoritnin në kor emrat e Rej Manajt, heroit të ndeshjes, golashënuesit të golit të vetëm, si edhe të të gjithë futbollistëve që zhvilluan një lojë të fortë me një rival të egër, në një atmosferë shumë të tensionuar në stadiumin e qytetit të Leskocit.
Mediet në Kosovë raportojnë se atmosferë e njëjtë mbetëroi edhe në qytete të tjera të Kosovës.

Kjo fitore e Shqipërisë ndaj Serbisë merr dimensione më të gjera, përtej futbollistike, përtej sportive. Sepse të tilla dimensione i dha Serbia. Edhe këtë herë, sikurse ka ndodhur pothuaj në të gjitha ndeshjet me Shqipërinë, në futboll dhe në sporte të tjera, në Serbi u manifestua urrejtja patologjike ndaj shqiptarëve, në forma dhe trajta të ndryshme.
Autoritetet e Serbisë nuk lejuan që në Leskoc të udhëtonin tifozë shqiptarë, me motivacion se prania e tyre në stadium do të shkaktonte tensione dhe përplasje përtej sportive. Po me këtë pretekst, lojtarëve e stafit të kombëtares shqiptare dhe gazetarëve shqiptarë nuk iu lejua të mbanin flamuj e simbole kombëtare. Në stadiumin e Leskocit, ku u zhvillua ndeshja, nuk u vendos flamuri i Shqipërisë, siç parashihet në protokollin e FIFA-s, deri pak para fillimit të ndeshjes…
E megjithatë, urrejtja patologjike serbe ndaj shqiptarëve u manifestua fuqishëm në stadium. Gjatë ndeshjes u dëgjuan disa herë brohoritje me përmbajtje politike kundër Kosovës “Kosova është Serbi…”. U dëgjuan edhe thirrje me përmbajtje ksenofobike “Vrite shqiptarin…!”…
Për fat të mirë, në fushë nuk pati përplasje josportive midis futbollistëve dhe loja mund të vlerësohet si korrekte.
Organizata botërore e futbollit, FIFA, e kishte vlerësuar ndeshjen Serbi-Shqipëri si ndeshje me rrezik të lartë. Për këtë arsye, në Leskoc i kishte dërguar dy zyrtarë për monitorimin e situatës së sigurisë. Më herët, kishte paralajmëruar masa të ashpra ndaj Serbisë në qoftë se në ndeshje ndodhin incidente apo manifestime josportive. Për incidente dhe manifestime josportive Serbia është gjobitur disa herë nga FIFA dhe UEFA…
Festa në Kosovë zgjati deri vonë, pas mesnate.
Kurse në Serbi pllakosi heshtje varri. Vluan vetëm mediet, sidomos mediet proqeveritare, të cilat e kualifikuan humbjen nga Shqipëria si “turpëruese” për Serbinë.
Të tillë e kualifikoi edhe Federata serbe e Futbollit, e cila e shkarkoi menjëherë përzgjedhësin e kombëtares, Dragan Stojkoviq.
(r.m.)