Kosova e lë prapa vetëm Bjellorusinë dhe Shqipërinë në investimet e huaja

Një raport i Odes Ekonomike Gjermane rendit Kosovën në vendet e fundit për investimet e jashtme – Shkalla e lartë e korrupsionit, burokratizimi i madh i shërbimeve, administrata e dobët, gjyqësia jo efikase, mungesa e transparencës në prokurimin publik si dhe cilësia e dobët e arsimimit të kuadrove” janë shpalosur nga oda ekonomike gjermane në Kosovë si faktor pengues dhe dekurajues për investitorët e jashtëm

 

Bekim Salihu

PRISHTINË 24 qershor – Institucionet e Kosovës nuk kanë arritur të krijojnë një ambient të përshtatshëm për investitorët e huaj dhe për rrjedhojë shkalla e këtyre investimeve është tejet e vogël. Kështu është thënë të hënën në Prishtinë në hulumtimin e prezantuar nga Odës Ekonomike gjermano-kosovare, të cilët prezantuan rezultatet e anketimit të bërë me anëtarë të Odave gjermane të Evropës Qendrore dhe Lindore.
Sipas këtij hulumtimi, nga 20 shtete në Evropë që konsiderohen në tranzicion apo të sapodala nga tranzicioni, Kosova renditet e 18, duke lenë pas vetëm Bjellorusinë dhe Shqipërinë.
“Problemet të cilat e përcjellin Kosovën, veçmas në fushën e zbatimit të ligjit e bëjnë këtë vend jo tërheqës për investime. Asnjë nga investitorët nuk është i interesuar të investoj para në një vend ku burokracia, korrupsioni, mos zbatimi i ligjeve dhe papërgjegjësia institucionale janë prezente” thuhet në raportin e prezantuar për media nga përfaqësuesit e odes gjermano-kosovare.
Sipas tyre, Kosova nuk ka problem vetëm në tërheqjen e investimeve, por edhe në mbajtjen e atyre investitorëve të cilët kanë investuar në të kaluarën e afërt.
“Janë identifikuar disa raste, kur kompanitë e udhëhequra nga pronarë të huaj janë mbyllur apo janë zhvendosur në ndonjë vend tjetër dhe kjo do të duhet të përbente shqetësim për udhëheqësit dhe përgjegjësit e institucioneve të Kosovës” ka thënë Bardhyl Meta, përgjegjës i Odes Ekonomike Gjermane në Kosovë. Sipas tij, janë një mori faktorësh që kanë ndikuar që Kosova të mos konsiderohet vend tërheqës për investime.
“Shkalla e lartë e korrupsionit, burokratizimi i madh i shërbimeve, administrata e dobët, gjyqësia jo efikase, mungesa e transparencës në prokurimin publik si dhe cilësia e dobët e arsimimit të kuadrove” janë shpalosur si faktor pengues dhe dekurajues për investitorët e jashtëm. Në bazë të këtij raporti, investitorët e jashtëm presin nga Kosova të dëshmoj imazhin e një shteti të qëndrueshëm, ligjor, të drejtë dhe të sigurt. “Investitorët e jashtëm duan dhe kërkojnë përmirësim të madh dhe forcim të shtetit ligjor, kërkojnë luftë të pa kompromis ndaj korrupsionit dhe transparencë shumë më të madhe në vet sistemit gjyqësor dhe në sferën e prokurimeve publike” ka theksuar Bardhyl Meta, përgjegjës i Odes Ekonomike Gjermane në Kosovë, përderisa ka zbardhur fushat ku me së shumti Qeveria e Kosovës do të mund të llogariste në investimet e jashtme.
“Institucionet e Kosovës do të duhet në mënyrë serioze t’i qasnin sferës së arsimimit të kuadrove veçmas në fushat si në energji, miniera dhe minerale, bujqësi dhe atë të teknologjisë informative” ka theksuar Meta. Ndërsa kryetari i Bordit të Odës gjermano-kosovare, Remzi Ejupi, ka thënë se investimet e huaja në Kosovë nga vitit 2007 deri në vitin 2012 janë përgjysmuar, nga 440 milionë sa ishin në vitin 2007 në rreth 230 milionë në vitin 2012. Ndërsa Matthias Kiesler, zëvendës Ambasador i Gjermanisë në Kosovë tha se ky hulumtim është një barometër shumë i rëndësishëm se çfarë nevojash kanë kompanitë karshi politikës. Sipas tij, Qeveria duhet t’i marrë shumë seriozisht këto rezultate, pasi ajo është përgjegjëse për krijimin e kushteve të përshtatshme të punës si për biznesin vendor ashtu edhe atë të huaj.