Kosova e USAID nënshkruan marrëveshjen e grantit prej rreth 35 milionë dollarë

Prishtinë, 15 shtator 2023 – Kosova dhe Agjencia Amerikane për Zhvillim Ndërkombëtar (USAID) nënshkruan të premten në Prishtinë një marrëveshje të grantit për zhvillim me vlerë rreth 35 milionë dollarë.

Marrëveshja u nënshkrua nga Presidentja e Kosovës, Vjosa Osmani, dhe ushtruesja e detyrës së drejtoreshës së USAID-it, Kerry Monaghan Hogler.

Presidentja Osmani deklaroi pas nënshkrimit se ky grant do të kontribuojë në plotësimin e objektivave zhvillimore të Kosovës.

“Kjo marrëveshje është dëshmi e mbështetjes së vazhdueshme të Qeverisë dhe popullit amerikan për Kosovën dhe popullin e saj”, tha ajo.

Presidentja Osmani tha se një nga objektivat kryesore të kësaj marrëveshjeje është sigurimi i shërbimeve më të mira për të gjithë qytetarët e Kosovës, nëpërmjet ngritjes së kapaciteteve institucionale.

“Në këtë mënyrë do të fuqizohet administrata publike, do të eliminohet burokracia dhe do të promovohet transparenca. Duke llogaritur llogaridhënien dhe efikasitetin brenda institucioneve publike, kjo marrëveshje do të kontribuojë në reduktimin e vazhdueshëm të korrupsionit dhe rritjen e efikasitetit ndaj nevojave të qytetarëve tanë”, tha ajo.

Ambasadori amerikan në Kosovë, Jeffrey Hovenier, tha se marrëveshja e nënshkruar sot konfirmon partneritetin afatgjatë të SHBA-së me popullin e Kosovës.

“Ky fond do të mbështesë qëllimet strategjike të ShBA-së për Kosovën, siç janë: avancimin e integrimit të Kosovë në institucionet evropiane dhe euro-atlantike, përpjekjet për promovimin e rritjes së përparimit ekonomik dhe përpjekjet për zhvillimin e qeverisjes së mirë”, tha ai.

Hovenier kujtoi se prej vitit 1999 SHBA-ja i ka investuar në Kosovë më shumë se 2 miliardë dollarë, “për t’i çuar përpara interesat e përbashkëta”.

(r.m.)